Udhëheqës të rinj nga Ballkani Perëndimor u mblodhën në Tiranë javën e kaluar për Forumin Vjetor të Profesionistëve të Rinj me temën: “Bashkëpunimi, Siguria, Vlerat: NATO në një Botë në Ndryshim”.
Aktiviteti mblodhi së bashku 25 udhëheqës të rinj për të diskutuar marrëdhëniet transatlantike, rolin e NATO-s në rajon dhe zgjidhjet për çështjet komplekse të sigurisë.
Në njoftimin e Ambasadës Amerikane, mësohet se Carmen Romero, Zëvendës Ndihmës Sekretare e Përgjithshme e NATO-s për Diplomacinë Publike përshëndeti të ftuarit në një video-mesazh.
Edhe Chad Twitty, Shefi i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën e SHBA në Tiranë dhe Bora Muzhaqi, Ministre për Rininë, u uruan mirëseardhjen udhëheqësve të rinj.
Diskutimet u fokusuan në sfidat globale dhe rajonale të sigurisë, përfshirë pushtimin e Ukrainës nga Rusia, fushatat e dezinformimit, kërcënimet e sigurisë kibernetike dhe mundësitë për më shumë bashkëpunim midis NATO-s dhe Ballkanit Perëndimor.
Folësit e tjerë përfshinin komandantin Eric Cote, Atashe i Lartë i Mbrojtjes në Ambasadën e SHBA, Ditmir Bushati, ish-Ministër i Punëve të Jashtme dhe ekspertë të tjerë nga organizata rajonale, think-tank, akademia dhe shoqëria civile.
Aktiviteti u organizua nga Rrjeti i Profesionistëve të Rinj me mbështetjen e Ambasadës së SHBA në Tiranë dhe Departamentit për Diplomaci Publike të NATO-s.