RTSH 24 Live

Aktualitet

Matura Shtetërore/ Nxënësit i nënshtrohen sot provimit të Gjuhës së Huaj

01/06/2023

Matura Shtetërore/ Nxënësit i nënshtrohen sot provimit të Gjuhës së Huaj

Maturantët i nënshtrohen këtë të enjte ( 1 qershor) provimit të Gjuhës së Huaj, që shënon dhe provimin e parë për Maturën Shtetërore, që do të nisë në orën 10:00 dhe do të zgjasë 2 orë e 30 minuta.

Mësuesit në të gjithë vendin do të jenë në gatishmëri të plotë që ky proces të jetë sa më i mbarë. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi në një mesazh për maturantët një ditë më parë, teksa u uroi suksese në provimin e tyre të parë, u shpreh besimplotë se do të japin më të mirën dhe do të jenë krenarë për veten.

 “Të dashur maturantë edhe pak orë na ndajnë nga provimi i parë i Maturës Shtetërore, një moment i shumëpritur për të gjithë ju, sepse kurorëzoni punën dhe përpjekjet e shumë viteve.

Ju uroj shumë suksese. Kam besim që do të jepni më të mirën dhe nesër do të jeni krenar për veten tuaj, dhe po ashtu do jenë krenar familjet tuaja dhe të gjithë ne”, tha Kushi.

Më datë 7 qershor, maturantët do të zhvillojnë provimin e dytë të Maturës Shtetërore, atë të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, më 13 qershor do të mbahet provimi i Matematikës dhe provimi i katërt që do të përmbyllë këtë cikël është provimi me zgjedhje që do të mbahet më 19 qershor.

/rtsh.al/