RTSH 24 Live

Aktualitet

Mattarella pret drejtuesit evropianë të medias: Raportimi i së vërtetës, përgjegjësi për agjencitë e lajmeve

3 orë para

Mattarella pret drejtuesit evropianë të medias: Raportimi i së vërtetës, përgjegjësi për agjencitë e lajmeve

Raportimi i së vërtetës një përgjegjësi e shtuar për agjencitë e lajmeve, deklaroi presidenti italian, Sergio Mattarelle përpara përfaqësuesve të agjencive evropiane të lajmeve, ku Agjencia Telegrafike Shqiptare u përfaqësua nga drejtoresha e saj e përgjithshme, Valbona Zhupa.

Organizatore e takimit të presidentit Mattarella në Quirinale me Aleancën Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA) ishte agjencia italiane e lajmeve, ANSA.

“Protagonistët e rinj globalë kanë ndërhyrë në dimensionin e informacionit, me pretendimin e përcaktimit të standardeve dhe udhëzimeve të aksesit – gjithashtu me një përdorim të paskrupullt të platformave dixhitale që ata menaxhojnë dhe të inteligjencës artificiale – pavarësisht nga legjislacioni i vendosur për të mbrojtur integritetin e këtij sektori”, deklaroi Mattarella.

”Luftërat e vazhdueshme, duke filluar nga agresioni i Federatës Ruse ndaj pavarësisë së Ukrainës, përdorin armë hibride të luajtura në terrenin e lajmeve të rreme që synojnë opinionet publike të vendeve demokratike për t’i manipuluar ato”, deklaroi presidenti italian.

”Raportimi i së vërtetës kundër veprimeve propagandistike që synojnë të falsifikojnë faktet dhe në këtë mënyrë të helmojnë ndërgjegjet është një përgjegjësi e shtuar për agjencitë e lajmeve”, theksoi ai.

”Ne duhet të përballemi me revolucionin dixhital, me inteligjencën artificiale, e cila sjell me vete mundësi të mëdha, por rreziqe edhe më të mëdha. Dhe në fakt i ka dhënë forcë një arme të vjetër sa bota: lajmeve të rreme. Dhe ne duhet të jemi në gatishmëri për të siguruar informacion të vërtetë”, shtoi Mattarella.

Përpara përfaqësuesve të Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), ku ATSH është anëtare me të drejta të plota, presidenti i Republikës, Sergio Mattarella tha mes të tjerash se ”liria dhe pluralizmi i medias garantojnë vendosjen e plotë të disa të të drejtave të domosdoshme për demokracinë dhe matjen e cilësisë së saj: e drejta për lirinë e shprehjes dhe informimit. Sepse ndoshta dikush e mashtron veten se është një koncept i konsoliduar mirë. Ose në vend të kësaj ai shpreson që ngadalë do të humbasë peshën dhe do të kalojë në rreshtin e dytë”.

”Kam kërkuar të flas sepse institucionet duhet të kenë respekt për shtypin dhe të flasin në këmbë. Ne duhet të jemi kundër tundimeve të pushteteve publike për të vendosur kufij nga ana e tyre në hapësirat e lirisë së informacionit, në vend që të propozojnë me përkushtim garantimin dhe mbështetjen e të njëjtave hapësira lirie”, theksoi ai.

“Informimi i lirë, i pavarur dhe pluralist është e drejtë e qytetarit, detyrë e të gjithëve që ta kërkojnë. Është kundërhelmi për t’iu kundërvënë dukurive manipuluese”, shtoi ai.

”Ky takim është, për mua, një burim i madh interesi”, përfundoi ai.

Në përfundim të fjalimit të tij në Quirinale, presidenti Mattarella u takua me të gjithë përfaqësuesit e EANA-s.

“Jam e nderuar që gjendem sot në Quirinale. Është kënaqësi që pata mundësinë t’ju takoj personalisht dhe të flas me ju për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, pjesë e së cilës unë jam. ATSH ka një histori mbi 100-vjeçare dhe jam krenare që ajo kontribuon në përparimin e vendit”, i tha drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa presidentit italian, Sergio Mattarella.

/ rtsh.al /