RTSH 24 Live

Rajon

Përmbytje në Bosnjë, shënohen viktima nga stuhia që goditi disa pjesë të rajonit

04/10/2024

Përmbytje në Bosnjë, shënohen viktima nga stuhia që goditi disa pjesë të rajonit

Një stuhi e fortë dhe përmbytjet gjatë natës në Bosnjë-Hercegovinë shkaktuan të paktën 14 viktima të premten në territorin e komunës së Jabllanicës.

Shërbimet e shpëtimit në jug të vendit raportuan për disa persona të zhdukur dhe u bënë thirrje ekipeve të vullnetarëve dhe Forcave të Armatosura që të ndihmojnë zonat e goditura nga moti i keq.

"Orë pas ore po marrim lajmin se ka viktima të reja. Kemi dërguar këdo që kemi mundur. Prioriteti ynë kryesor është të shpëtojmë jetën e atyre njerëzve që janë gjallë apo të zënë nën shtëpitë e tyre prej rrëshqitjeve të dheut," tha ministri i Mbrojtjes, Zukan Helez.

Në qytetet e Jabllanicës dhe Kiseljakut energjia elektrike dhe linjat e telefonit u ndërprenë. Stacioni i zjarrfikësve njoftoi se qyteti është krejtësisht i izoluar.

"Policia na informoi se edhe hekurudha është e bllokuar. Për momentin nuk mund të hyni apo të dilni nga Jabllanica," thanë ekipet e shpëtimit, ndërsa u bënë thirrje banorëve që të mos dalin nga banesat dhe të qëndrojnë në katet e sipërme.

Reshje të dendur dhe erëra të forta u raportuan gjithashtu në Kroacinë fqinje, ku disa rrugë u mbyllën dhe autoritetet e Zagrebit u përgatitën për daljen nga shtrati të lumit Sava.

Erërat e forta kanë penguar trafikun në bregdetin jugor dhe përmbytjet e shkaktuara nga shiu i madh kërcënuan disa qytete dhe fshatra në Kroaci.

/RTSH/