RTSH 24 Live

Aktualitet

Transformimi i universitetit të Korçës, Manastirliu: Rrisim interesin dhe të studentëve të rajonit

3 orë para

Transformimi i universitetit të Korçës, Manastirliu: Rrisim interesin dhe të studentëve të rajonit

Universiteti i Korçës do i nënshtrohet një transformimi dhe profilizimit të degëve prioritare në mënyrë që të kthehet në një universitet që të tërheq edhe studentët e rajonit.

Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu tha universitetet do të behën më inteligjente duke rritur investimet në infrastrukturën e kërkimit shkencor dhe laboratorëve si dhe do të ketë programe më të mira studimi drejt orientimit të tregut të punës.

"Sot jemi në Korçë me rektorin e universitetit dhe kolegun Peleshi, gjithashtu edhe me profesorë të universitetit të Korçës dhe profesorë nga Diaspora, ku së bashku, si ministri e arsimit dhe sportit mbështetur edhe me fondacionin shqiptaro-amerikan për zhvillim, do të prezantojmë planin e transformimit dhe zhvillimit të universitetit të Korçës. Një plan i cili është hartuar me kontributin e të gjithë grupit të ekspertëve të angazhuar të cilët kanë në përbërje tre prej akademikëve tanë në Diasporë ku kontribuojnë për këtë plan zhvillimor, i cili synon të profilizojë universitetin e Korçës por dhe t’i japë një model që të drejtojë edhe zhvillimin për universitetet tona rajonale që të jenë më tërheqëse për studentët. Programet e tyre të studimit të mund t’i orjentojnë drejt tregut të punës, por edhe zhvillimet rajonale. Ndaj, universiteti do të jetë një prej projekteve tona pilote për të filluar fazën e zbatimit të këtij plani transformues që do të synojë jo vetëm rishikimin në të gjitha programet e studimit për ciklet bachelor, master dhe doktoraturave, do të kemi synim të shkojmë drejt universitetit inteligjent ku pikërisht universiteti i Korçës do të orientohet drejt teknologjisë e zhvillimit bujqësor pa lënë mënjanë edhe programet e tjera që kanë të bëjnë me shkencat humane, duke ditur që këtu kemi qendra të cilat zhvillojnë jo vetëm aktivitete që lidhen me mësuesinë por edhe në fushën albanologjike dhe të tjera elementë të rëndësishëm që duam t’i forcojmë. Pra, profilizimi bëhet me synim fuqizimin e universitetit dhe transformimin për të patur studentë të cilët diplomat e tyre mund të afrojnë më shumë me tregun e punës në kohë sa më të shpejtë por dhe të rrisim interesin e tyre jo vetëm tek te rinjtë e Korçës por edhe të rajonit e më gjerë, sepse në fokus të profilizimit të universitetit të Korçës për ta bërë universitet inteligjent, do të ketë edhe fokus për të rritur investimet në infrastrukturën e kërkimit shkencor, të laboratorëve për të ngritur qendra të ekselencës për t’i dhënë universitetit të Korçës atë transformim të nevojshëm për të optimizuar programet e kërkimit shkencor por dhe për t’i dhënë më shumë qasje rajonale."

Lidhur me ndërkombëtarizimin e universitetit të Korçës, ministrja tha se po punohet në këtë drejtim në mënyrë që të rriten ndëraktiviteti dhe të ketë ndërthurje të programeve mësimore.

"Ndërkombëtarizimi është pjesë e programit të transformimit dhe planit zhvillimor të universitetit të Korçës ku programet e përbashkëta të studimit, diplomat dyfishe dhe hapja e kampuseve të universiteteve të tjera, është një prej objektivave tona ndaj ndërkombëtarizimi është pjesë e procesit të profilizimit duke qenë se synimi është jo vetëm krijimi i mundësisë për hapjen e programeve të huaja dhe dyfishe por nga ana tjetër dhe sjellja e pedagogëve të cilët janë të huaj apo të Diasporës, për të qenë lektorë dhe pse jo për të drejtuar edhe departamente të ndryshme të universitetit”, tha ajo.

/rtsh.al/