32-vjeçari Merxhan Çeliku është arrestuar në Emiratet e Bashkuara ku fshihej, pasi ishte shpallur në kërkim dhe akuzuar nga SPAK për mashtrim kompjuterik me kriptovalutat. Ai ishte dërguar më 10 shkurt 2024 nga SPAK për gjykim me akuzën e “mashtrimit kompjuterik”, ndërsa pritet ekstradimi i 32-vjeçarit në vendin tonë ku do të përballet me drejtësinë.
Sipas SPAK Merxhan Çeliku akuzohet se nëpërmjet thirrjeve telefonike, ka mashtruar shtetas nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia dhe Ukraina, për të investuar në tregje online. Nga mashtrimet, grupi i strukturuar kriminal ka përfituar shuma të mëdha parash.
Merxhan Çeliku u dërgua për gjykim nga SPAK së bashku me 4 të tjerë lidhur me mashtrimet për kripotovalutat që bënin përmes kompanive “call center” në disa vende të Europës. Zbërthimi i të gjithë skemës së mashtrimit u bë në nëntor të 2022, ku SPAK në bashkëpunim me EUROJUST.
Këto kompani lokalizoheshin në disa shtete, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Ukraina, Gjeorgjia etj., ku të akuzuarit operonin me dhjetëra platforma mashtruese gjatë viteve të fundit.
Sipas SPAK “Merxhan Çeliku, kishte komunikime të drejtpërdrejta me viktimat e mashtrimit nëpërmjet këtyre platformave ku dëmet e shkaktuar arrijnë në 6.1 milionë euro”.
GJKKO ka caktuar ndaj 32-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
/rtsh.al/