Prej 32 vitesh, Qendra Rajonale e Formimit Profesional në Shkodër vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në aftësimin profesional të punëkërkuesve, duke zgjeruar vazhdimisht gamën e kurseve të ofruara në profesionet më të kërkuara në treg.
Bashkëpunimi me biznesin vendase është një nga prioritetet kryesore të kësaj qendre, me qëllim realizimin e praktikave profesionale dhe krijimin e mundësive konkrete për punësimin e të trajnuarve.
"Gjeja më kryesore, pa të cilin Qendra nuk mund të funksionojë, është edhe realizimi i praktikave profesionale. Kjo është jo vetëm në funksion të qendrës, por edhe në funksion të kursantëve, sepse ka raste kur pa përfunduar praktika profesionale ata mund të punësohen pranë këtyre bizneseve," thotë Irma Lohja, drejtore e Qendrës së Formimit Profesional në Shkodër.
Po sipas drejtores së kësaj qendre, rreth 50 për qind e kursantëve që janë trajnuar ndër vite kanë arritur të integrohen në tregun e punës, kryesisht në profesione si aftësimi digjital, parukeri, instalime elektrike dhe hidraulike, e të tjera.
"Ne si qendër formimi, në përfundim të tremujorëve realizojmë gjurmimin e kursantëve të certifikuar, se si janë gjetur ata në tregun e punës," shpjegon znj. Lohja.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, rreth 900 punëkërkues përfunduan trajnimet tremujore në këtë qendër, e cila aktualisht ofron rreth 30 kurse në profesione të ndryshme.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/