RTSH 24 Live

Aktualitet

Marrëveshja Rama-Meloni për emigrantët, “Corriere della Sera”: 653 mln euro kosto për Italinë, ja si do procedohet

25/03/2024

Marrëveshja Rama-Meloni për emigrantët, “Corriere della Sera”: 653 mln euro kosto për Italinë, ja si do procedohet

Kostoja e marrëveshjes Shqipëri-Itali për ndërtimin e qendrave të pritjes, menaxhimit dhe mbajtjes së emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër do i kushtojnë Italisë 653.5 milionë euro për 5 vite.

Gazeta italiane “Corriere della Sera” ka zbërthyer të gjitha shpenzimet që Italia duhet të paguajë për ngritjen e qendrave të emigrantëve në Shqipëri, por gjithashtu edhe dërgimit dhe marrjes së emigrantëve qoftë kur ata fitojnë azilin apo në rastet kur do të riatdhesohen në vendet e tyre.

Marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët u firmos në Romë më 6 nëntor 2023 nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, ndërsa u ratifikua në parlamentin e të dy vendeve.

Marrëveshja ka një afat 5 vjeçar, ku emigrantët që tentojnë të hyjnë në Itali do të sillen në Shqipëri, ku në Gjadër dhe në Shëngjin të Lezhës do të ngrihen strukturat akomoduese të tyre deri në pritje të miratimit të kërkesë për azil apo dëbimit të tyre në atdhe.

Si do të funksionojë marrëveshja e lidhur mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët?

Fillimisht ndarja e emigrantëve do të bëhet në ujëra ndërkombëtarë, pa u lejuar të shkelin në tokën italiane. Në Shqipëri vetëm burrat që vijnë nga vende që konsiderohen të sigurta, ndërsa të miturit, gratë dhe të moshuarit do të dërgohen në Itali. Sipas “Corriere della Sera” kjo është një nga ngërçet e procesit, duke qenë se bëhet në mes të deti dhe emigrantët udhëtojnë pa dokumente.

Pas dërgimit të emigrantëve në Shqipëri, ku kapaciteti maksimal është 3 mijë emigrant, do të nis edhe procesi i verifikimit dhe procedurat e përshpejtuara për azil ku nuk do të zgjasin më shumë se 28 ditë. E gjithë proceduar e azilit do të zhvillohet përmes video-konferencave me Romën. Në rast refuzimi të azilit, aplikanti do të mund të ankohet brenda 14 ditëve në vijim dhe brenda 7 ditëve të tjera gjyqtari do të duhet të vendosë nëse do ta pranojë apo refuzojë ankimimin. Kush përfiton azil do të dërgohet në Itali, të tjetër do të riatdhesohen, proces që do të kryhet nga vetë autoritete italiane.

“Corriere della Sera” thotë që emigrantët të riatdhesohen duhet që fillimisht Italia të ketë marrëveshje bashkëpunimi me vendin e tyre. Deri në arritjen e marrëveshje emigrantët do të qëndrojnë për 18 muaj në qendrat e mbajtjes së tyre dhe kur ky afat kalon pa arritur ende procedurën e riatdhesimit, ata janë të lirë të kthehen në Itali duke u kthyer në emigrantë të paligjshëm.

“Nëse këto emigrantë lihen në qendrat e ngritur në Shëngjin dhe Gjadër, në mungesë të marrëveshjeve të reja, atëherë ato do të jenë plot dhe nuk do të mund të dërgohen emigrant të tjerë. Sipas ligjit italian në çdo rast pas 18 muajsh emigrantët që nuk kanë mundur të dëbohen duhet të kthehen në Itali dhe të lirohen”, shkruan “Corriere della Sera”.

Sipas marrëveshjes në Shëngjin dhe Gjadër emigrantët nuk mund të ecin lirisht. Në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre emigrantët nga territori shqiptar.

/rtsh.al/