RTSH 24 Live

Muzikë

Marko Morrikone flet për RTSH: Babai im e cilësonte veten artizan të muzikës

24/05/2024

Marko Morrikone flet për RTSH: Babai im e cilësonte veten artizan të muzikës

Veprat e kompozitorit të njohur Enio Morricone (o. Ennio Morricone) që prej 50 vitesh janë ndërkombëtarisht të njohura, të vlerësuara dhe mbeten në memorien e çdo personi, që pavarësisht njohjes që ka me muzikën mjafton t‘i përmendet kolona zanore e filmave legjendë, si “Na ishte njëherë perëndimi“, “Për një grusht dollarë”, “Kumbari” apo “Oktapodi”, e menjëherë vjen melodia e Morrikones.

Për djalin e tij të madh Marko (o. Marco), puna e të atit, që e ka bërë të jetojë edhe pas vdekjes, është shumë e rëndësishme.

Për mua ishte babai im pavarësisht aktivitetit të tij. Puna e tij e ka bërë që të jetojë gjatë pas vdekjes dhe kjo për mua është shumë e rëndësishme, por personi është një gjë dhe personazhi një tjetër”, shprehet ai.

Djali e përshkruan babin e tij si një njeri të rreptë.

“Babai ishte shumë i rreptë, me veten e tij në radhë të parë e më pas me të tjerët, ishte shumë serioz dhe shumë i dhënë pas punës së tij. Kur i zhytur në punën e tij, ai gllabërohet tërësisht nga ajo. Babai nuk ndjehej mire si një personazh pasi ai e quante veten si një artizan të muzikës jo krijues. Për të muzika ishte një e martuar dhe plotësuar me matematikën, për të muzika ishte shkencë ekzakte. Babai dashuronte lojën e shahut ku duhet të lëvizësh me llogari precize në një hapësirë të mirëpërcaktuar dhe ai kështu e shihte edhe muzikën siç është edhe lufta për jetën”, tha Marko.

Marko Morrikone e viziton për herë të parë vendin dhe përshtypja e tij është që Shqipëria është më e gjallë se Italia.

“Jemi dy popuj që kemi shumë të përbashkëta edhe kulturalisht dhe shpresoj që shqiptarët të vijojnë të kenë Italinë si pikë reference, edhe pse dyshoj se pasi ne po jetojmë një kohë jo të mirë. Këtu në Shqipëri kam ndjesinë që Rinia është më gjallë, më kërkuese ndërsa tek ne nuk e shoh një gjë të tillë", tha ai.

Marko Morrikone ishte i ftuar special në Festivalin e Filmit për të Rinjtë e Ballkanit, i cili u hap me filmin dokumetar të regjisorit, Xhuzepe Tornatore (o. Giuseppe). Vepra me titullin “Ennio” i kushtohet Enio Morrikones dhe u prodhua vetëm një vit pas ndarjes nga jeta të kompozitorit të madh italian.

/rtsh.al/