RTSH 24 Live

Politikë

Manja me homologun italian Nordio: Instrument i ri për njohjen reciproke të masave kufizuese të lirive personale

03/10/2024

Manja me homologun italian Nordio: Instrument i ri për njohjen reciproke të masave kufizuese të lirive personale

Ministritë e Drejtësisë të Shqipërisë dhe Italisë janë dakordësuar për të rritur bashkëpunimin e tyre në fushën e drejtësisë për unitetin e plotë të akteve normative dhe organizative të asistencës juridike kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe njerëzor dhe në trajtimin e masave të të dënuarve.

Në konferencën e përbashkët mes ministrit Ulsi Manja dhe homologun italian Carlo Nordio, u vlerësua bashkëpunimi i madh mes dy vendeve dhe se ky unitet do të vijojë duke u rritur përmes zbatimit të marrëveshjeve që do të forcojnë sundimin e shtetit ligjor, por edhe do të përshpejtojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Gjatë takimit, u vendos që t’i jepet përparësi ndihmës juridike të ndërsjellë në luftën kundër krimit të organizuar transnacional dhe terrorizmit ndërkombëtar dhe arritjen e një instrumenti të ri për njohjen reciproke të masave kufizuese të lirive personale

“Konfirmuam bashkëpunimin tonë në fushat kyçe të drejtësisë dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Përmes vendimeve të përbashkëta ndajmë sfidën e përbashkët për sundimin e ligjit dhe forcimin e shtetit të së drejtës. I dhamë përparësi ndihmës juridike të ndërsjellët kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar, kundër pastrimit të kapitaleve të paligjshme dhe trafikut të qenieve njerëzore dhe drogës. Nisim bisedimet dhe paraqitjen e në instrumenti për njohjen reciproke të masave kufizuese të masave personale të ngjashëm me urdhër-arrestet evropiane që mund të zëvendësojë atë tradicionale të ekstradimit. Mes dy ministrive tona ka një skuadër të përbashkët që punon për të çuar para bashkëpunimin në fushën e drejtësisë”, tha Manja.

Edhe ministri Italian Nordio tha se shkëmbimi i eksperiencave të akteve juridike mes dy vendeve do i shërbejë jo vetëm një drejtësie më efektive por edhe integrimit të Shqipërisë.

“Ishte një takim i shkurtër sinjifikativ dhe intensiv. Ramë dakord për unitetin e plotë të akteve normative dhe organizative të asistencës juridike kundër krimit të organizuar dhe trafikut dhe të trajtimit të të dënuarve. Miqësia mes dy popujve tanë që konsolidohet sot në nivele ministrash është themeli i bashkëpunimit tonë. Vendosëm të rrisim në mënyrë frekuente dhe periodike takimet tona edhe përmes video-konferencave për të zgjidhur problemet konkrete që mund të dalin gjatë bashkëpunimit në mënyrë të shpejtë dhe konkrete. Përgëzojë përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe legjislacionit që po përafrohet me BE. Shkëmbimi i eksperiencave të akteve juridike do i shërbejë jo vetëm një drejtësie më efektive por edhe integrimit”, tha Nordio.

/rtsh.al/