RTSH 24 Live

Politikë

Mandati i Xhaçkës në Komisionin e Venecias, Peleshi: Ka paqartësi! Votimi në Kuvend nuk ishte vendim politik

16/09/2024

Mandati i Xhaçkës në Komisionin e Venecias, Peleshi: Ka paqartësi! Votimi në Kuvend nuk ishte vendim politik

Vendimi i Partisë Socialiste për të mos interpretuar mandatin e deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese, ku pjesa më e madhe abstenoi apo ishte kundër, duket se nuk ka qenë një vendim grupi, sipas kreut të grupit parlamentar të socialistëve Niko Peleshi, por një vendim i vetë deputetëve lidhur me këtë çështje.

Pas mbledhjes së grupit të PS, Peleshi tha se lidhur me këtë çështje ka një qartësi dhe se dërgimi në Komisionin e Venecias ishte “vendimi më i mençur dhe i duhur” ku sipas tij nuk vlen vetëm për këtë rast specifik por për në parim për të gjitha vendimet e “Kushtetueses” që kalojnë në seancë përmes votimit.

Peleshi tha se ajo që do të këshillojë Komisioni i Venecias do të zbatohet menjëherë.

“Nuk bëhet fjalë për një kundërshtim të Gjykatës Kushtetuese. Ky mocion nuk përparon dot për shkak të votimit abstenim kryesisht që është shprehje e paqartësisë. Ka një paqartësi ku të gjithë palët janë në të drejtën e tyre por se cila e drejtë prevalon kjo është paqartësia. E vlerësoj si vendimin e duhur dhe më të mençur të mundshëm për ta çuar në Komisionin e Venecias dhe nuk i vlen jo vetëm rastit specifik, por do të na vlejë në parim për të gjithë vendimet e Kushtetueses që kalon përmes votimit në seancë. Në këtë rast nuk kishte një vendim polik apo një vendim grupi dhe deputetët mbajtën qëndrimin e tyre gjatë votimit. Po presim vendimin e Venecias, pavarësisht nga roli këshillues, ajo që na këshilloj ajo do ta zbatojmë pa hezitim në seancën e parë”, tha Peleshi.

Pas një seance maratonë, Kuvendi nuk i hapi rrugë kërkesës së opozitareve për interpretimin e  papajtueshmërisë së mandatit të Xhaçkës. Pas këtij ngërçi, kryeparlamentarja Elisa Spiropali iu drejtua Komisionit të Venecias për mendim të specializuar.

Për rastin reagoi edhe Ambasada e SHBA në Tiranë e cila e konsideroi vendimin e Parlamentit si një shpërfillje për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

/rtsh.al/