RTSH 24 Live

Europë

Makroni përjashton dorëheqjen "pavarësisht rezultatit", ndërsa Lë Pen afrohet me Republikanët

11/06/2024

Makroni përjashton dorëheqjen "pavarësisht rezultatit", ndërsa Lë Pen afrohet me Republikanët

Presidenti Emanuel Makron tha të martën se pavarësisht rezultatit që mund të nxjerrin zgjedhjet e parakohshme në Francë, ai nuk do e japë dorëheqjen.

Në një intervistë për gazetën vendase, "Le Figaro", Makron shpjegoi se vendimi i tij për të shpërndarë parlamentin dhe për të shpallur zgjedhjet e reja u provokua nga zhvillimet e fundit: presioni u rrit këto javë nga trazirat në parlament - për shkak të deputetëve francezë që shfaqeshin me flamujt e Palestinës - ndërsa opozita prej kohësh nuk bashkëpunoi për nismat e shumicës. Ajo e çfarë e bindi më në fund presidentin ndodhi të dielën, kur e djathta ekstreme "Rigrupimi Kombëtar" e drejtuar nga Marinë lë Pen fitoi shumicën në Parlamentin Europian.

"Vendimi që mora hap një epokë të re. Shpërndarja e Kuvendit Kombëtar ishte e nevojshme, një zgjidhje imediate për të sqaruar situatën. Shpërndarja është gjesti më i pastër, më radikal, më i fortë. Ishte vendimi i duhur në interes të vendit," tha presidenti francez.

Makroni ftoi qytetarët të dalin të votojnë për të ndalur radikalizmin, që rrezikon vendin.

"Në ditët e ardhshme do u zgjat dorën të gjithë atyre që janë gati të qeverisin dhe të punojnë ndaj radikalizmit ambicioz. Unë u them francezëve 'mos kini frikë, votoni'," bëri thirrje kryetari i shtetit.

Presidenti i Francës është në mandatin e tij të dytë, i cili mbaron në vitin 2027. Në vitin 2022, pasi ai fitoi, partia e tij humbi mazhorancën në dhomën e ulët të Parlamentit.

"Institucionet janë të qarta dhe ashtu është edhe vendi i presidentit, sido që të jetë rezultati i zgjedhjeve," tha presidenti Makron.

Zgjedhjet në Francë janë planifikuar të mbahen në dy raunde, më 30 qershor dhe 7 korrik.

Pozitën e kryeministrit e synon 28-vjeçari Zhordan Bardela (o. Jordan Bardella), bashkëkryetari i partisë së ekstremit, që siguroi më shumë vota më 9 qershor për zgjedhjet europiane. Ndërsa kryetarja Lë Pen, e cila ka dalë e dyta në dy garat e fundit presidenciale, pritet ta marrë edhe një herë përsipër sfidën për kreun e shtetit.

Republikanët mbështesin aleancën me Lë Penin

Lideri i partisë "Republikanët", Erik Çioti (o. Eric Ciotti), deklaroi të martën mbështetjen e një aleance të mundshme mes të djathtëve të tij dhe ultradjathtistëve të Lë Penit.

Ai tha se e ka diskutuar çështjen me kryetarët e Rigrupimit.

"Përballemi me tri blloqe: Rigrupimi Kombëtar, shumica e pafuqishme dhe aleanca e turpshme me socialistët. Në këtë kontekst, për të evituar rreziqet që qëndrojnë pezull mbi vendin tonë, na është dashur të ndërtojmë aleanca që për mua kanë vlera të djathta. Unë vij nga e djathta dhe do mbetem një republikan. Unë propozoj një aleancë me popullin francez dhe nuk i stigmatizoj si njerëz," tha z. Çioti.

Por qëndrimi i tij rrezikon ta përçajë partinë. "Partia politike nuk është vetëm një person," tha kreu i republikanëve në dhomën e sipërme të Senatit, Bruno Retajo (o. Retailleau).

Edhe ish-komisioneri i BE-së, Mishel Barnier (o. Michel) doli kundër Çiotit duke shtuar: "Ai nuk flet për familjen politike së cilës i përkasim. Madje mendoj se nuk ka më as legjitimitetin për të folur në emër të familjes sonë politike." /LF, Politico, AFP 1, 2

/rtsh.al/