Është momenti për rivendosjen e marrëdhënieve mes Britanisë së Madhe dhe Irlandës, tha të shtunën kryeministri britanik gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Dublin.
Kryeministri britanik, Keir Starmer po viziton fqinjin më të afërt të Britanisë së Madhe ku u takua me kryeministrin irlandez Simon Harris.
Tregtia përtej Detit Irlandez, një marrëdhënie tregtare me vlerë 120 miliardë euro (133 miliardë dollarë) në vit, që mbështet mijëra vende pune, ishte në krye të agjendës.
Udhëheqësit shtrënguan duart në hyrje të Shtëpisë së Farmleigh përpara se të futeshin brenda ku Starmer nënshkroi librin e vizitorëve.
Pasi përshëndeti kryeministrin në shtëpinë zyrtare të pritjes së qeverisë irlandeze, Taoiseach i uroi Starmer “njëqind mijë mirëseardhje” në Irlandë – fraza mikpritëse e popullit irlandez e përdorur me shekuj.
Harris, i cili e përshkroi Starmer si mikun e tij, tha: “Është një nder me të vërtetë i madh t’ju pres këtu sot në vizitën tuaj të parë zyrtare në Irlandë si kryeministër”.
“Ne të dy dëshirojmë t’i vendosim me të vërtetë marrëdhëniet britaniko-irlandeze në një rrugë të re dhe unë vërtet e vlerësoj kohën që na keni dhënë që nga marrja e detyrës dhe jam përpjekur të përgjigjem në të njëjtën mënyrë”, shtoi Harris.
“Është kënaqësi të jem këtu, të kemi këtë mundësi që do të shfrytëzojmë për të rivendosur miqësinë mes dy vendeve tona”, tha Starmer.
“Kjo rivendosje, mendoj, mund të jetë kuptimplotë, mund të jetë i thellë”, shtoi kryeministri britanik.
Harris tha se rivendosja e marrëdhënieve duhej të përfshihej në “paqe dhe prosperitet, respekt dhe miqësi të ndërsjellë”.
/ rtsh.al /