Kryeministri sllovak Robert Fico, i cili u plagos rëndë gjatë një atentati në fillim të këtij viti, ka paralajmëruar se një tjetër atentat mund të jetë i mundur.
Populisti Fico akuzoi kundërshtarët e tij për nxitje të urrejtjes dhe dhunës kundër qeverisë gjat një deklarate për transmetuesin publik STVR.
“Jam 100% i bindur se do të ketë një tjetër atentat ndaj një përfaqësuesi të qeverisë nëse opozita dhe media të caktuara nuk ndalojnë atë që po bëjnë”, tha Fico.
Fico u qëllua më 15 maj pas një takimi të kabinetit në qytetin e vogël Handlova.
Sulmuesi, një pensionist, i cili u arrestua, tha se veproi nga urrejtja ndaj Ficos dhe politikave të tij.
“Që nga atentati, masat e mbrojtjes së policisë janë shtuar, duke e bërë më të komplikuar një sulm të ri”, tha Fico.
“Por, mund të ndodhë që dikush të synojë një tubim votuesish të partive qeveritare për shembull. Kam frikë nga kjo”, tha ai.
Fico është kreu i Smer, partisë më të madhe në pushtet.
Kryeministri dhe politikanë të tjerë qeverisës kanë akuzuar vazhdimisht opozitën liberale dhe median si fajtore për sulmin e majit.
/ rtsh.al /