Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë do të vëzhgojë zgjedhjet për herë të shtatë. Mbi 100 vëzhgues do të shpërndahen në terren për të siguruar një proces të lirë zgjedhor.
Për këtë arsye, shefja e Misionit, Nathalie Loiseau, e cila zyrtarisht ka nisur misionin e BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, deklaroi mbështetjen e BE-së për Kosovën, për të fuqizuar më tej qeverisjen demokratike.
"Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 janë moment me rëndësi për Kosovën, duke shfaqur pluralitetin e peizazhit politik të Kosovës. Prania e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE në terren synon të kontribuojë në një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, duke u lejuar votuesve të Kosovës të shprehin zgjedhjet e tyre. Kjo gjithashtu nënvizon mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën për të fuqizuar më tej qeverisjen demokratike”, tha Loiseau në një konferencë për media ku njoftoi se misioni do t`i shpërndajë në terren 18 vëzhgues afatgjatë.
Ajo shtoi se do të raportohet për çdo detaj të ecurisë së zgjedhjeve duke vënë në pah sërish rëndësinë e demokracisë.
“Në secilën demokraci përfshire edhe atë në vendin tim por edhe vendet anëtare të BE-së gjithmonë ka hapësirë për përmirësim dhe e po jetojmë në një moment kur demokracia është duke u venë ne pikëpyetje pra vendet demokratikë janë të kërcënuara ne nivel global dhe rëndësia që të kemi demokraci te gjalle dhe vibrante në Kosove nuk ka qenë kurrë më e madhe sa tani. Pra do të vëzhgojmë, të vlerësojmë dhe nëse është e nevojshme nuk do të hezitojmë të theksojmë çfarëdo mundësie për përmirësime që ne do të shohim. Do të vlerësojmë të gjitha aspektet dhe të gjitha fazat e procesit zgjedhor", ka shtuar Loiseau.
/rtsh.al/