RTSH 24 Live

Politikë

“Sy m’sy”, Rama: e-Albania është fryti më kuptimplotë i revolucionit antikorrupsion

3 orë para

“Sy m’sy”, Rama: e-Albania është fryti më kuptimplotë i revolucionit antikorrupsion

Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Sy m’sy”, i ka kthyer përgjigje një qytetareje, e cila shprehej në një koment në Facebook se në e-Albania duhet 1 muaj për të nxjerrë një certifikatë.

Lidhur me këtë pretendim, kreu i qeverisë u shpreh se pasi është interesuar personalisht pranë e-Albania, ka rezultuar se “qytetarja Agime Metani”, ka aplikuar 4 herë për certifikatë familjare dhe në të 4 rastet e ka marrë automatikisht certifikatën.

 “Nuk ekziston asnjë Agime Metani tjetër që të ketë aplikuar ndonjë herë për ndonjë shërbim në e-Albania. Sot ofrohen 1247 shërbime publike përmes E-Albania ose 95% e të gjitha shërbimeve publike, të cilat deri dje merreshin në radhë.”, deklaron Rama.

Sipas kryeministrit, sot janë 3.2 milionë qytetarë dhe biznese të regjistruara që kanë marrë qoftë edhe një herë të vetme shërbim në e-Albania. Ai thekson se që prej nisjes, e-Albania ka hequr 45 milionë qëndrime në radhë dhe duke i dhënë ato shërbime nëpërmjet telefonit.

Sipas tij, “e-Albania është fryti më kuptimplotë i revolucionit antikorrupsion”.

“e-Albania ka dhënë 45 milionë shërbime. Pra 45 milionë qëndrimet në radhë, me ecejaket dhe bakshishet përkatëse të asaj epokës para e-Albania, janë eliminuar. 15.2 mln shërbime janë marrë nga e-albania vetëm në 2024. Rreth 15% më shumë se një vit më parë. Meqë ju zonja Agime, që ku i dihet, mbase nuk jeni fare zonja Agime, por zonjës i keni marrë emrin për të sharë qeverinë me profil false. Gjithsesi ankohesh për certifikatën, po ju informoj se e-Albania ka gjeneruar 23 milionë certifikata të Gjendjes Civile në kohë reale, nga të cilat 7.2 milionë certifikata vetëm në vitin 2024″, informon Rama.

Sipas tij, e-Albania është deri më sot fryti më kuptimplotë i revolucionit tonë antikorrupsion sepse ka eliminuar 45 milionë kontakte fizike mes qytetarit dhe administrates, si dhe u ka kursyer qytetarëve orë të pafundme, stres, pritje, pasoja, nga mosmarrja në kohë e shërbimeve.

“Jo më kot, për shkak të e-Albania-s, Shqipëria vlerësohet jo nga ne, por nga organizmat ndërkombëtare, si një nga vendet e përparuara evropiane në qeverisjen elektronike. E mira nuk ka fund, e keqja harrohet shpejt. Mesa shoh shumëkujt i duhet kujtuar që deri dje kur nuk ekzistonte kjo platformë shërbimet ishin një tmerr, ishin hap e xhep. Sot gjithçka ka ndryshuar”, përfundon Rama.

/rtsh.al/