Hamasi i ka dorëzuar tre pengje Kryqit të Kuq në qytetin e Gazës, duke shënuar lirimin e parë të pengjeve që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit 42-ditor të së dielës në mëngjes. Romi Gonen, Doron Steinbrecher dhe Emily Damari, janë mbajtur në Gaza që kur u morën nga Izraeli më 7 tetor 2023.
Një turmë e madhe u mblodh në kryqëzimin Al-Saraya të qytetit të Gazës për dorëzimin. Dhjetra militantë të maskuar nga Brigadat Al Qassam të Hamasit dhe Brigadat Al-Quds të Xhihadit Islamik Palestinez ishin të pranishëm.
Ushtria izraelite ka konfirmuar se Hamasi i ka dorëzuar tre pengje Komitetit Ndërkombëtar për Kryqin e Kuq (KNKK) në Gaza.
"Kryqi i Kuq ka komunikuar se tre pengjet izraelite u transferuan tek KNKK," thanë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit në një deklaratë. Pengjet janë në rrugën e tyre drejt forcave izraelite në Gaza, tha ushtria.
Izraeli do të lirojë 90 të burgosur dhe të paraburgosur të dielën, sipas një liste të publikuar nga Shoqata e të Burgosurve Palestinez. Mes tyre janë 69 gra dhe nëntë të mitur, më i vogli prej të cilëve 15 vjeç.
Ministria izraelite e Drejtësisë kishte thënë më parë se 95 persona do të liroheshin. Disa persona të listuar më pas u identifikuan se tashmë ishin liruar.
Izraeli mban të paktën 10,000 të burgosur palestinezë, sipas Komisionit të Çështjeve të të Burgosurve dhe Shoqatës së të Burgosurve Palestinez - megjithëse ky numër nuk përfshin një numër të panjohur të palestinezëve të zënë rob në Gaza.
Shifra e të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli përfshin 3,376 persona të mbajtur nën paraburgim administrativ, që do të thotë se ata as nuk kanë pasur akuza publike kundër tyre dhe as janë përballur me gjyq, duke përfshirë 95 fëmijë dhe 22 gra. CNN
/rtsh.al/