RTSH 24 Live

Politikë

KQZ apel diasporës: Nëse kërkesa për regjistrim ju është refuzuar, ju mund të riaplikoni

3 orë para

KQZ apel diasporës: Nëse kërkesa për regjistrim ju është refuzuar, ju mund të riaplikoni

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpërndau të dielën në rrjetet sociale disa prej pyetjeve më të shpeshta që bëjnë qytetarët shqiptarë, që jetojnë jashtë, por që duan të regjistrohen në zgjedhjet e 11 majit për votimin me postë nga vendet ku banojnë.

Pyetjet e votuesve nga jashtë, lidhur me refuzimin e kërkesës për të votuar dhe si duhet vepruar, janë të lidhura me refuzimin e aplikimit dhe nëse mund të riaplikojnë, çfarë duhet të bëjnë kur kërkesa është refuzuar, a mund të bëhet një kërkesë e re, pasi është refuzuar e para, si dhe deri në çfarë date mund të bëhet kërkesa për t’u regjistruar në listën e zgjedhësve nga jashtë.

Në përgjigje të këtyre pyetjeve, KQZ-ja sqaron se: “Nëse kërkesa për regjistrim ju është refuzuar, ju mund të riparaqisni kërkesën tuaj në Platformën për Regjistrimin e Zgjedhësve nga Jashtë Vendit deri në datën 04.03.2025. Sigurohuni që të dhënat tuaja të jenë të sakta, adresa juaj duhet të përputhet me adresën e shënuar në dokumentin që provon qëndrimin tuaj jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

KQZ gjithashtu fton qytetarët që të shpërndajnë linkun diaspora.kqz.gov.al që të aplikojnë sa më shpejt edhe të njohurit, miqtë dhe të afërmit e tyre, si dhe “të mos e humbin këtë mundësi unike për të shkruar historinë bashkë”.

KQZ fton qytetarët që të shkarkojnë në celular aplikacionin KQZ për Android dhe IOS, ose të vizitojnë ëëë.kqz.gov.al (rubrika Votues nga Jashtë), për të marrë të gjitha informacionet se si mund të votojnë nga jashtë territorit të Shqipërisë për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2025. 

/rtsh.al/