Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka bërë thirrje demokratëve që të bashkohen kundër qeverisë së kryeministrit Rama.
Duke folur nga qyteti i Fierit, Berisha tha se Rama ka larguar shqiptarët nga vendi dhe se për këtë të gjithë demokratët duhet të bashkohen kundër qeverisjes së kryeministrit Rama.
“Prandaj dhe këtu nga Fieri, i bëj thirrje çdo demokrati, nga viti 1990 gjer sot, të bashkohemi në kontributet tona. Sepse Shqipëria në 34 vite nuk ka pasur periudhë më kritike se kjo. Ky regjim po shkatërron Shqipërinë. Për një moment ju ftoj të mendoni se çfarë mund të ndodhë me regjimin e Edi Rramës kur 1 milion e 100 mijë janë larguar vetëm në hapësirën e Shengenit, çfarë do ndodhë 4 vitet e ardhshme? Të paktën 1 milion do largohen dhe do bashkohen me ta. Së dyti, bashkimi ynë si kusht themelor për një front të madh me të gjithë qytetarët e Fierit, me të gjithë njerëzit punëtorë të këtij qyteti dhe të këtyre zonave, të cilët përjetojnë një regjim që i shfrytëzon me egërsinë më të madhe, të cilët përjetojnë një regjim që sillet ndaj tyre si një regjim kolonial. Po, po, si regjim kolonial. Që të jesh kryeministër, të vësh përpara taksat tuaja, paratë tuaja, 8.2 miliardë euro dhe të lesh për rrogat për qytetarët gjithsej 800 milionë euro, pra vetëm 10 përqind, dhe të lësh për 780 mijë pensionistë, 16 milionë euro, një të 512-tën e buxhetit, të lësh për fermerët shqiptarë gjithsej 31 milionë euro, në një kohë kur japin 19 përqind të gjithë prodhimit të brendshëm të vendit, asnjë kolonialist i pamëshirë nuk do e bënte këtë. Për vete, rrogat në stratosferë. Për vete, çarter. Për vete, Lubi Balluku biftekun 1 mijë euro. Ju jap fjalën e nderit se po të kishte imagjinuar një ministër i PD një gjë të tillë, pa dalë nga restoranti do merrte dekretin e shkarkimit”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se këto tre vite Partisë Demokratike i shërbejnë që “ne jemi forca politike e të pamundurave, asgjë më shumë. Menduan të na shuajnë, ja ku jemi në këmbë. Menduan të na heshtin, ne bëmë opozitën më të fuqishme që ka pasur Shqipëria në 34 vite. Menduan të na izolojnë, sot vijmë forca politike më e mbështetur me tre rezoluta ndërkombëtare. Pra, demokrate e demokratë, pse na duhet ky 34-vjetor? Na duhet sepse tani nga forcë e qëndresës, do jemi forcë e fitores. Asgjë në botë nuk mund të ndalë vrullin tonë drejt fitores së 11 majit”
“Kurrë ndonjëherë fitorja nuk ka qenë në duart tuaja siç ka qenë kësaj here. Kjo fitore ka një kusht: të bashkohemi me çdo demokrat nga viti 1990 gjer sot, që do të rikthehet tek kontributi i tij”, tha Berisha.
/rtsh.al/