RTSH 24 Live

Aktualitet

Censusi i shpendëve 2025, më pak shpendë në ujërat e Parkut Kombëtar të Prespës

10 orë para

Censusi i shpendëve 2025, më pak shpendë në ujërat e Parkut Kombëtar të Prespës

Për këtë vit, është vënë re një ulje e numrit të shpendëve të ujit në ujërat e Parkut Kombëtar të Prespës dhe Liqenit të Ohrit, por njëkohësisht ka pasur një shtim të llojeve të tyre.

Specialistët e Administratës së Zonave të Mbrojtura shpjegojnë se ky ndryshim ka ardhur si pasojë e ndikimeve të ngrohjes globale dhe tërheqjes së ujit në liqenin e Prespës.

“Ky është rezultat i ngrohjes globale, pasi kjo luhatje ndihet kudo jo vetëm në Prespë. Në liqenin e Prespës ndikon edhe si rezultat i tërheqjes së liqenit”, tha Vasil Male, specialist i ADZM.

Ndërkaq, në liqenin e Ohrit, janë shtuar tre lloje butakësh ujorë që pothuajse ishin zhdukur nga ky liqen.

“Numri i individëve është më i ulët për shkak të ndryshimeve klimatike, por kemi një rritje të numrit të llojeve të tyre”, u shpreh Adnand Bego, specialist në PPNEA.

Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujor Dimërues këtë vit është përqendruar në liqenin e Ohrit, të Prespës, në rezervuarin e Gjançit dhe për herë të parë edhe në liqenin e Moglicës.

Gazetare: E. Fili

/rtsh.al/