Dajçi në Bashkinë e Shkodrës, njihet si një zonë e cila e ka shumë të zhvilluar bujqësinë, blegtorinë, por më shumë pemët dekorative, duke zënë një vend lider në tregun shqiptar, si dhe duke mbuluar tregun e vendeve të BE.
Shumica janë specializuar në Itali, aty ku kanë punuar për disa vite në këtë sektor. Një prej tyre është edhe Leonard Zadrima. Ai e hapi biznesin në vitin 2017. Sot është ndër sipërmarrësit kryesor të zonës së Dajçit.
“Jam kthyer prej emigrimit pas 26 vitesh në Itali dhe gradualisht e kemi kthyer këtë biznes në zonën e Dajçit. E kemi marrë zanatin në Firence dhe e kemi kthyer në vendin tonë. Janë shumë lloje bimësh dekorative”, u shpreh ai.
Dikur këto parcela mbilleshin me foragjere, misër, fasule, ndërsa sot tregu kërkon një tjetër investim për to.
“Kemi marrë toka me qira, kultivojmë bimët dhe i vendosim në vazo dhe i tregtojmë në Europë. Do 4 vite që nga faza e mbledhjes deri në rritje, më pas kërkon dhe 1 vit që të rritet në vazo dhe më pas del në treg”, tha sipërmarrësi.
Vetëm gjatë një viti nga zona e Dajçit eksportohen rreth 100 mijë fidane të tillë në Kosovë , në vendet e Rajonit dhe të Europës.
Gazetar: M. Rakaj
/rtsh.al/