RTSH 24 Live

Aktualitet

Polici bie nga lartësia e pallatit, AMP: S’ka pretendime për presion. Hoxha: “Furtunë në gotë” për qëllime politike

9 orë para

Polici bie nga lartësia e pallatit, AMP: S’ka pretendime për presion. Hoxha: “Furtunë në gotë” për qëllime politike

Rënia e një efektivi nga lartësia e një pallati, para dy ditësh, në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë ka shkaktuar reagime në media dhe rrjetet sociale duke aluduar për teori të ndryshme. Këto aludimet kanë sjellë reagimin e ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, duke i cilësuar këto situata si furtunë në gotë që manipulohen dhe përdoren për të nxitur protesta dhe për të dëmtuar imazhin e Policisë së Shtetit.

Hoxha thotë se nuk ka prova që tregojnë se ai ka tentuar të vetëvritet për shkak të presionit për të mos zbatuar ligjin, ndërsa ka kritikuar ashpër përhapjen e dezinformatave dhe manipulimin e ngjarjeve për qëllime politike dhe mediatike.

Ministri e cilëson këtë fenomen si një strategji të ulët për të përdorur lëvizje sociale dhe protesta për interesat e grupeve të caktuara.

"Është bërë tanimë një zakon shumë i ulët, që të deformohen dhe manipulohen ngjarje të caktuara dhe të goditet Policia e Shtetit, për qëllime tërësisht politike apo biznes mediatik. Rasti i ngjarjes së Pogradecit, ku u fry një dallgë e madhe dizinformimi me një bandë inekzistente gjobëvënësish, apo rasti i vrasjes së 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari i tij, ku u sajuan thika e autorë të tjerë të paqenë, ishin dy raste emblematike të rritjes së nivelit të paturpësisë politike dhe mediatike.

Tani ka dalë një tjetër rast, me të cilin po riluhet loja e “të vegjëlve”, që bëjnë thirrje për protestë (kështu i është vënë emri ca partizave, që të reja mund të kenë shumë gjëra, po nuk kanë as mendësinë dhe as metodat). Protesta sa të duan, kur të duan, po nuk rezulton që të ketë ndonjë punonjës policie, që ka tentuar të vrasë veten nga ndonjë presion për të mos zbatuar ligjin ndaj dikujt. Rasti në fjalë është i qartë e i dokumentuar dhe e gjitha është një furtunë në gotë. Por, meqë jo çdo e keqe vjen për keq, njerëzit mbase e kuptojnë edhe më mirë me këtë rast, që këto lëvizjet me emra të mëdhenj të këtyre “të vegjëlve” janë tamam si ajo loja “fluturon, fluturon” dhe kush ta hajë, ta hajë… Këtyre organizatorëve, që kanë nxjerrë këto tabelat në rrjete sociale, u sugjeroj ta zëvendësojnë sloganin dhe ta bëjnë “Gënjeshtra, shpresa jonë për deputetë” dhe “Marshojmë, Gënjejmë”, shkruan Hoxha.

Për rastin edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Në kuadër të këtyre veprimeve, drejtuesit e AMP-së janë paraqitur pranë Spitalit të Traumës për të marrë informacion mbi shëndetin e oficerit dhe për të administruar çdo pretendim të mundshëm lidhur me ndonjë presion ose ndikim të paligjshëm gjatë ushtrimit të detyrës.

AMP thotë se nga deklarimi me shkrim i oficerit A.S., 57 vjeç “ka rezultuar se ai nuk ka ngritur asnjë pretendim lidhur me ndikim të paligjshëm, presion apo shantazh gjatë ushtrimit të detyrës”.

AMP vijon verifikimet për të siguruar transparencën e plotë mbi ngjarjen.

/rtsh.al/