RTSH 24 Live

Politikë

Vota e diasporës - Balla: Shqipëria shumë pranë aspiratës historike për të qenë anëtare e BE

4 orë para

Vota e diasporës - Balla: Shqipëria shumë pranë aspiratës historike për të qenë anëtare e BE

Votimi i diasporës në zgjedhjet e parlamentare të 11 majit 2025, është kthyer në kryefjalë të politikës. Në këtë kuadër drejtuesi Politik i PS-së për Diasporën, Taulant Balla, ka zhvilluar një takim të dielën në Cuneo pranë Torinos, për t’iu shpjeguar shqiptarëve që jetojnë atje si të regjistrohen me qëllim që të mund të votojnë më 11 maj 2025.

Në fjalën e tij, Balla i bëri thirrje diasporës shqiptare që të regjistrohet në mënyrë që secili të japë votën për Shqipërinë në BE.

Balla përmendi faktin se gjatë takimeve ka vënë re se ka një informacion të reduktuar mbi këtë proces, pasi shumë njerëz nuk e dinë që për të votuar duhet të regjistrohesh, apo që regjistrimi ka nisur dhe ka një afat që mbyllet më datë 4 mars.

Disa nga detajet ku Balla vuri theksin janë elementë të regjistrimit me të cilat po bëhen më shumë gabime gjatë procesit, ndaj iu bëri thirrje emigrantëve të kenë kujdes me regjistrimin e numrit të telefonit, secili familjar nga një numër të ndryshëm apo email.

“Fjalëkalimi do një fjalë, një numër, një shenjë. Kujdes te numri personal që kërkohet është ai në kartën e identitetit ose pasaportën shqiptare. Jam i shqetësuar se deri tani 1 në 3 aplikime është refuzuar për shkak të këtyre gabimeve. Kur bëni foton nga pas s’duhet të keni shumë detaje apo njerëz, më mirë një sfond njëngjyrësh. Ne kemi qenë dorëlëshuar në përcaktimin në nenin 25 të Kodit Zgjedhor dhe kemi thënë çdo shtetas mund të votojë jashtë Shqipërisë dhe duhen dy dokumente për regjistrim, karta ID apo pasaporta shqiptare dhe dokumenti që vërteton arsyen përse ti je jashtë Shqipërisë o je rezident në Itali dhe këtu mund të fotografoni kartën italiane por kujdes, foto duhet nga pjesa prapa që ka adresën, ose mund të jepni një dokument tjetër si qira, uji, drita etj., mjafton që aty të jetë adresa e shtëpisë ku do të vijë zarfi. Ndërsa për anëtarët e tjerë të familjes duhet të vini certifikatën familjare bashkë me dokumentin që mund të jetë në emër të kryefamiljarit”, sqaroi Balla në Cuneo.

Sipas Ballës, qeveria do financojë qoftë dërgimin e fletës së votimit që e kemi në Kodin Zgjedhor, qoftë kthimin që do jetë me pullë të parapaguar dhe nuk ke nevojë të vendosësh emrin.

“Unë jam shumë krenar që kemi përzgjedhur një sistem që ndryshon nga ai i Italisë sepse kemi barazuar votën e qytetarëve që jetojnë në Shqipëri me ata që janë jashtë. 2 milionë italianë zgjedhin vetëm 5 deputetë ndërsa shqiptarët votojnë njëlloj për të 140 deputetët, pra pesha e votës është njësoj, s’ka rëndësi ku jeton në Cuneo, Shkodër apo Milano.”, tha ai.

Sipas tij, arsyeja se përse shqiptarët duhet të regjistrohen sa më parë dhe sa më shumë është se duhet të tregojnë forcën për t’u dhënë legjitimitet politikanëve për të drejtuar.

“Unë mendoj që kur makina është duke ecur mirë kur je duke iu afruar destinacionit që duhet, nuk ndërrohet shoferi. Shqipëria sot është shumë pranë aspiratës historike 30-vjeçare për të qenë anëtare e BE. Mezi po pres të shoh secilin shqiptar të jetë qytetar i barabartë anëtar i BE brenda këtij mandati të ri. Krah kolegut italian që t’i thonë jemi të dy qytetarë evropianë. Prapa na lanë fajet e politikanëve të caktuar. Marrëzi si 1997-a e kanë dëmtuar Shqipërinë dhe e vonuan këtë moment. Siç e mbajtëm fjalën për reformën në drejtësi, e mbajtëm dhe për votën e diasporës dhe mund të deklaroj se në çdo reformë PS ka pasur vetëm një kërkesë: ne duam votën e diasporës”, tha ai.

Duke iu drejtuar emigrantëve në sallë, pjesa dërrmuese nga Shkodra, Balla foli edhe për qeverisjen vendore të qytetit nga Partia Socialiste.

“Të çojmë sa më shumë turistë në Shkodër, se i ka ardhur radha Shkodrës. Unë mendoj që ne i kemi nisur punët shumë mirë. Shkodrën për herë të parë morëm nderin e madh për ta qeverisur bashkinë dhe dita duket që në mëngjes dhe mëngjesi i Shkodrës po duket gjithnjë e më i bukur dhe punët e mëdha sapo kanë filluar. S’keni parë gjë akoma. Në këtë aspekt mendoj që jo vetëm Shkodra si qark por të gjitha qarqet e Shqipërisë janë dëshmitë e një transformimi të paimagjinueshëm pak vite më parë. Ndaj s’duhet ta ndërpresim këtë ritëm. Të mbyllim negociatat. Këtë mund ta bëjë vetëm Edi Rama dhe PS”, deklaroi Balla.

Partia Socialiste kujdeset për të gjithë, tha Balla, dhe nuk jemi si ai që thoshte do hamë me lugë floriri apo që jemi të dytët pas Gjermanisë në 2012-ën.

“Ju ftoj ta mbështesni Edi Ramën dhe Partinë Socialiste! Kur të shpallim listat do të kemi dhe një surprizë shumë të bukur për Shkodrën”, tha ai.

/rtsh.al/