RTSH 24 Live

Europë

Lituania harton planin e evakuimit në rast lufte

26/07/2024

Lituania harton planin e evakuimit në rast lufte

Autoritetet lituaneze po hartojnë plane për evakuime masive të civilëve në rast të një konflikti të armatosur, njoftoi transmetuesi publik LRT, duke cituar Ministrinë e Brendshme të vendit.

Pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë përkeqësoi frikën e një konflikti të hapur të mundshëm midis Moskës dhe NATO-s .

Në kufi me Bjellorusinë aleate të Rusisë dhe enklavën ruse të armatosur rëndë të Kaliningradit , Lituania do të ishte një nga vendet e para të kërcënuara nga një përplasje e tillë.

Ministria e Brendshme e Lituanisë tha muajin e kaluar se dëshiron që komunat të jenë në gjendje të zhvendosin një të katërtën e popullsisë së vendit prej 2.9 milionë banorësh, shkruan LRT .

Përparësi do t'u jepet familjeve me fëmijë të vegjël, grave shtatzëna dhe personave me aftësi të kufizuara.

Ministrja e Brendshme Agne Bilotaite tha gjithashtu se planet do të përfshijnë transferime ndërkombëtare dhe se çështja tashmë është diskutuar me vendet fqinje.

Në dritën e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, masat e gatishmërisë civile janë nën shqyrtim edhe në Letoni dhe Estoni .

 

/rtsh.al/