RTSH 24 Live

Ekonomi

Ligjvënësit e BE-së miratojnë një marrëveshje, e cila rrit përdorimin e energjisë së rinovueshme

12/09/2023

Ligjvënësit e BE-së miratojnë një marrëveshje, e cila rrit përdorimin e energjisë së rinovueshme

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian miratuan të martën një marrëveshje për të rritur pjesën e burimeve të rinovueshme në përzierjen e energjisë së bllokut, një hap tjetër ky për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër, larg karburanteve fosile.

Projektligji, i miratuar me një shumicë të madhe votash, 470 ligjvënës votuan pro, 120 kundër dhe 40 abstenuan, parashikon një objektiv të përditësuar të energjisë së rinovueshme prej 42.5% të konsumit total deri në vitin 2030, me synimin për të arritur në 45%. Objektivi aktual është 32%.

“Votimi i sotëm në Parlamentin Evropian hap rrugën për një nxitje masive drejt tranzicionit energjetik, në një mënyrë që është e përballueshme për qytetarët dhe e përforcon BE-në si një bastion industrial,”- tha eurodeputeti i Gjelbër, Vil Niinistou (Ville Niinistö). 

“BE po i thotë lamtumirë lëndëve djegëse fosile në përzierjen tonë të energjisë. Kriza energjetike ka treguar se ne duhet të jemi plotësisht të pavarur nga nafta dhe gazi, veçanërisht nga Rusia.”- tha ai.

Një rishikim nga grupi global i ekspertëve të energjisë Ember tregoi se era dhe dielli gjeneruan një rekord prej 22% të energjisë elektrike të BE-së vitin e kaluar dhe për herë të parë kaluan gazin, i cili përbënte 20%. Energjia e qymyrit përbënte 16%.

Parlamenti tha se legjislacioni do të përshpejtojë gjithashtu vendosjen e paneleve diellore dhe mullinjve me erë, pasi qeveritë kombëtare do të duhet të japin leje për instalime të reja të rinovueshme brenda 12 muajve nëse ato ndodhen në zona që garantojnë mbrojtjen e natyrës në të njëjtën kohë. Jashtë zonave të tilla, procesi nuk duhet të kalojë 24 muaj.

Organi legjislativ i BE-së pret gjithashtu që vendosja e burimeve të rinovueshme në sektorin e transportit duhet të ndihmojë në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë me 14.5% deri në vitin 2030 nëpërmjet “përdorimit të një pjese më të madhe të biokarburanteve të avancuara dhe një kuotë më ambicioze për karburantet e rinovueshme me origjinë jo biologjike, si p.sh. si hidrogjen.”

Në fillim të këtij viti, negociatat midis Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian u lanë në hije nga një përçarje midis dy grupeve të vendeve mbi rolin e energjisë bërthamore në prodhimin e hidrogjenit.

Në fund, marrëveshja u jep vendeve mundësinë e përdorimit të teknologjisë bërthamore pas një shtytjeje të fortë nga Franca. Projektligji tani ka nevojë vetëm për miratim zyrtar nga vendet anëtare për të hyrë në fuqi. Apnews

/rtsh.al/