RTSH 24 Live

Politikë

Ligji për Zonat e Mbrojtura, Delegacioni i BE: Drejtohuni nga standardet europiane

22/02/2024

Ligji për Zonat e Mbrojtura, Delegacioni i BE: Drejtohuni nga standardet europiane

Bashkimi Europian i bëri të ditur qeverisë shqiptare të enjten (22 shkurt) se do të jetë nën monitorim për sa i përket zbatimit të ligjit për Zonat e Mbrojtura, i kaluar orë më parë nga shumica e parlamentit.

Deputetë të opozitës dhe përfaqësues të shoqatave ambientaliste ngritën zërin para votimit për rrezikshmërinë që ai paraqet dhe dëmin që parashikohet t'i sjellë pasurive natyrore të vendit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, deklaroi pas votimit se projektligji është konsultuar gjerësisht me përfaqësuesit e shoqërisë civile.

"Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e qartë. Duhet përpjekje të vazhdueshme nga ana e qeverisë dhe e parlamentit për të siguruar që legjislacioni shqiptar të drejtohet nga standardet europiane. Në kontekstin e negociatave për anëtarësim, miratimi i ligjeve për tema që mbulohen nga kuadri i BE-së presupozon një konsultim publik të çiltër dhe përfshirës, si edhe një proces të parashikueshëm dhe transparent," shkroi Delegacioni i BE-së në rrjeti "X".

Pala europiane thotë se do e ndjekë me kujdes "zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, në linjë me kornizën ligjore të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe zotimeve ndërkombëtare të Shqipërisë".

/rtsh.al/