Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka mbrojtur ligjin e miratuar sot në Kuvend për Zonat e Mbrojtura. Sipas saj, ligji nuk prek disa linja të kuqe të Zonave të Mbrojtura mjedisore.
Ajo theksoi se projektligji është sjellë në Kuvend pas shumë konsultimesh dhe takimesh me përfaqësues të shoqërisë civile.
“Vjen në Parlament si një nismë deputetësh, por marrin shkas nga kërkesave kryetarëve të bashkive, të cilët kanë pasur të drejtat e tyre legjitime për të pasur bashkëpunim. Në informacionin e të gjithëve, ka pasur shumë konsultime publike, e-maile, letra dhe unë kam pasur takime formale dhe informale me shoqërinë civile.
Janë disa linja të kuqe që nuk duhet të preken, kam fjalën këtu të mos preken direktivat e BE-së Amendimet japin rregulla shumë të qarta për zonat e mbrojtura”, u shpreh Kumbaro.
Ndërkaq, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit sa i përket projektit që po qarkullon në rrjet për ndërtimin e një resorti në Parkun e Divjakës, Kumbaro tha se fotot janë të pavërteta.
“Çfarë kam parë dhe unë të qarkullojë, fotografitë që kanë qarkulluar janë të pavërteta, nuk ka një projekt të tillë. Është një përhapje lajmesh të pavërteta”, shpjegoi Kumbaro.
Më herët, deputetja Jorida Tabaku deklaroi se miratimi i ligjit për Zonat e Mbrojtura me forcën e kartonëve të deputetëve socialistë është një aferë korruptive që tregon kapjen e shtetit.
Sipas Tabakut, ky u shërben vetëm një grushti njerëzish afër qeverisë dhe shkel edhe vetë legjislacionin e Bashkimit Evropian.
“Me ligjin e zonave të mbrojtura qeveria tregoi se nuk ka asnjë limit, nuk njohën asnjë parim, shkelën legjislacionin e Bashkimit Evropian, shkelën angazhimin e konventave për mbrojtjen e mjedisit.
Këto nuk janë akte që shkojnë në frymën e procesit të integrimit, këto janë akte që i shërbejnë qeverisë për të punuar për një grup njerëzish siç kanë bërë këto 10 vite.
Nuk bëhet fjalë vetëm për mjedisin, ky është një ligj korruptiv dhe që tregon kapjen e shtetit dhe më vjen keq për ata kolegë socialistë që ngritën kartonin dhe u bënë pjesë e kësaj afere. Ky është i 14-i, se janë 14 ligje që tregojnë kapjen e shtetit të miratuara në Parlament”, u shpreh Tabaku në një prononcim për mediat, pas miratimit në Kuvend të një sërë projektligjesh, midis tyre edhe ai i Zonave të Mbrojtura.
/rtsh.al/