RTSH 24 Live

Letërsi

Librat e Koliqit i dhurohen bibliotekës së qytetit të Shkodrës

11/07/2024

Librat e Koliqit i dhurohen bibliotekës së qytetit të Shkodrës

Libra të bibliotekës personale të Ernest Koliqit iu dhuruan bibliotekës së qytetit të Shkodrës me nismën e studiuesit Ardian Ndreca. Kryebashkiaku Benet Beci tha se, bashkia ka mundësuar dhe hapjen e një salle me emrin e tij.

“Shkodra është qyteti, me çdo gjë që ai përfaqëson, e si i tillë ai thërret, t’ban me u kthy. Është fat dhe kontribut i Adrian Ndrecajt e ” Shejzat”, si dhe Bashkia Shkodër, që sot në qytet kthehet një pjesë e shpirtit, mendjes e krijimit të Ernest Koliqit”, u shpreh Benet Beci në rrjetet sociale.

Kryetari i Bashkise Shkodër shtoi se salla e riorganizuar u kushtohet qytetarëve që te biblioteka publike “Marin Barleti” gjejnë dyer e mendje të hapura për me shpërbly kureshtjen, talentin e prirjen për dije e art.

Për studiuesin Ardian Ndreca, njëherësh drejtues i organizatës “Shejzat” kjo sasi librash është një pasuri e jashtëzakonshme që i vjen qytetit të Shkodrës.

Ernest Koliqi (1901-1975) ishte poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, albanolog, mësues dhe botues shqiptar. Cilësohet së bashku me Mitrush Kutelin si themelues i tregimit modern shqiptar, me përmbledhjet “Hija e Maleve” (1929), “Tregtar flamujsh” (1935) dhe “Pasqyrat e Narçizit” (1936). Në mars të vitit 1947 themeloi dhe botoi të përkohshmen “L’Albanie Libre” që ndali më 1959, e më pas “Lajmëtari i të Mërguemit”.

/ rtsh.al /