“Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” - libri më i fundit shkrimtarit, publicistit e poetit Preç Zogaj u prezantua në Lezhë, vendlindjen e autorit.
Ky botim voluminoz, që përmbledh dyzet vjet krijimtari poetike të Zogajt, ku flet edhe për Lezhën, bëri bashkë lexues, poetë, shkrimtarë dhe autoritete lokale, që e vlerësuan maksimalisht atë çfarë përcjell autori në krijimtarinë e tij poetike.
"Edhe ne që jemi rritur me poezinë, që e kemi shijuar atë që në hershmërinë, në fillesat e veta, na ka befasuar gjithmonë," u shpreh shkrimtari Ndue Dedaj.
"Preç Zogaj erdhi me një fuqi, me një zotësi... Të jesh poet do të thotë të kesh fuqi, zotësi," shtoi poeti Viktor Gjikolaj.
Në këtë libër janë përmbledhur poezitë më të mira të të gjitha botimeve të tij ndër vite, thotë autori Zogaj.
"E reja është përmbledhja në një libër e më të mirave. Është zakon e poetëve që kanë një numër librash, që të përmbledhin një etapë të caktuar të jetës së tyre," thotë z. Zogaj.
Mes 11 vëllimeve të shkruara në këto katër dekada, Preç Zogaj përzgjedh poezitë më domethënëse për gruan, miqtë, poetët e preferuar, për Lezhën, për vdekjen, për nënën e tema të tjera të pakohë, duke provokuar përmes fjalës një kolorit emocionesh, përfytyrimesh e mendimesh.
/rtsh.al/