RTSH 24 Live

Aktualitet

Lezha bëhet gati për 581-vjetorin e Besëlidhjes, qyteti në festë më 1 dhe 2 mars

5 orë para

Lezha bëhet gati për 581-vjetorin e Besëlidhjes, qyteti në festë më 1 dhe 2 mars

581-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës do të kremtohet në një mënyrë të veçantë.

Qyteti do të përfshihet nga atmosfera festive për dy ditë më radhë më 1 dhe 2 mars, ku janë planifikuar të organizohen një sërë veprimtarish, të cilat do të kulmojnë me vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit në lulishten përballë memorialit të tij.

Përmes një videomesazhi, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, fton të gjithë qytetarët brenda dhe jashtë vendit që të bëhen pjesë e festës.

"Ne ju ftojmë që të jeni prezentë në datën 1 dhe 2 mars në celebrimin e kësaj dite, ndër më të rëndësishmet për kombin shqiptar, që është Besëlidhja e Lezhës, dhe vendosjes së bustit të Gjergj Kastriotit Skënderbe në sheshin po me të njëjtin emër në Lezhë," tha z. Ndreu.

Panair artizanesh, konkurs poezie, koncert dhe ekspozitë pikture, janë disa prej aktiviteteve të planifikuara të organizohen në kuadër të 581-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, ndërsa të pranishëm për të përkujtuar këtë ngjarje të rëndësishme për kombin shqiptar do të jenë personalitete nga të gjitha trevat shqiptare.

/rtsh.al/