RTSH 24 Live

Letërsi

Lea Ypi, anëtare e Akademisë Britanike

18/07/2024

Lea Ypi, anëtare e Akademisë Britanike

Lea Ypi u bë e para shqiptare anëtare në Akademinë Britanike. Lajmin e ndau Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit e cila e uroi shkrimtaren Lea Ypi për këtë arritje të rëndësishme.

Këtë vit Akademia Britanike ka mirëpritur 86 anëtarë të rinj ku ndër ta, dallohet edhe shkrimtarja shqiptare Lea Ypi.

Presidentja e Akademisë Britanike Julia Black ka vlerësuar lart autoren shqiptare, duke i uruar mirëseardhjen në hapësirën më të lartë të kulturës britanike.

Lea Ypi është fituesja e parë e Çmimit “Lumo Skëndo” nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, me librin e saj “Të lirë”.

Lea Ypi ka lindur në Durrës. Ajo është pedagoge e Teorisë Politike në Shkollën e Shkencave Politike dhe Ekonomike në Londër dhe Profesore e Filozofisë në Universitetin Kombëtar Australian. Është diplomuar për Filozofi dhe Letërsi nga Universitetin La Sapienza dhe ka përfunduar doktoraturën në Institutin Universitar Europian.

Ndër botimet e saj të shumta janë “Global Justice and Avant-Garde Political Agency”, “The Meaning of Partisanship” (me Jonathan White), etj.. Vepra e saj është përkthyer në frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, holandisht dhe kinezisht (mandarinisht). Me studimet e saj ka marrë disa çmime ndërkombëtare.

Në gjuhën shqipe ka botuar dy libra: “Vetëm për vete” dhe “Të lirë”. Libri “Të lirë” është botuar edhe në anglisht dhe ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare.


/ rtsh.al /