RTSH 24 Live

Sociale

Frekuentimi i bibliotekës në Kukës, lexues të librit dhe gazetave i gjejmë edhe në këto ditë vere

12/08/2024

Frekuentimi i bibliotekës në Kukës, lexues të librit dhe gazetave i gjejmë edhe në këto ditë vere

Në bibliotekën e qytetit të Kukësit kryesisht  lexuesit e moshës së tretë nuk drejtohen vetëm për libra por edhe për shtypin e shkruar të përditshëm. Arsye janë ambientet që i shfrytëzojnë për të qëndruar, rutina që kanë krijuar dhe fakti që nuk kanë kosto.

“Kemi 8-9 gazeta që na vijnë çdo ditë dhe kemi deri në 5 lexues të përditshëm që vijnë dhe e lexojnë këtu”, tha specialisti bibliotekës, Arbër Palushi.

Shtypin e shkruar ose gazetat, lexues të ndryshëm i kërkojnë për arsye të ndryshme.

“Punojnë për projekte të ndryshme dhe vijnë dhe marrin gazetat e të gjithë muajit për të punuar për tema të caktuara”, tha ai.

Ndërsa ende ka lexues dhe vizitorë nostalgjikë të bibliotekës Agim Spahiu.

“Kemi dhe lexues që janë nostalgjikë për libra të vjetër dhe janë pjesë e fondit të bibliotekës. Kemi edhe emigrantë që vijnë për pushime dhe vijnë dhe marrin librat e vjetër të kohës së komunizmit”, u shpreh Palushi.

Edhe gjatë verës biblioteka e qytetit të Kukësit ofron shërbim të plotë.

Gazetare: Besjana Gërmizi

/rtsh.al/