Ka nisur me tensione seanca parlamentare e kësaj të enjte (22 qershor), ku ish-kryeministri Sali Berisha ka përmendur situatën e krijuar pas kontrolleve të policisë në kampin e MEK, duke kërkuar që çështja të futet në rendin e ditës. Berisha kërkoi largimin e Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.
“Jam këtu për të deklaruar sot se në këtë moment ndjehem më shumë se kurrë njëri prej tyre, ndjehem një muxhahedin, luftëtar i lirisë. U shpreh atyre ndjenjat e mia më të sinqerta të mbështetjes dhe simpatisë. Ndjehem sot muxhahedin sepse qeveria amorale e këtij vendi vrau në bukë të vet, në strehë të vet, një luftëtar lirie. Ndjehem sot muxhahedin më shumë se kurrë, sepse aktakuza e djeshme që lexuat, është historia më e turpshme për një vend. Ajo ishte e shkruar në Teheran. Aktakuza bazohej e tëra në shpifje, trillime të shërbimeve të ajatollahëve ndaj luftëtarëve të lirisë. Aktakuza përmbante elementë të poshtërimit ekstrem të Shqipërisë dhe shqiptarëve, sikur nuk është një vend anëtar i NATO-s, por sikur është një vasal i Iranit. Të marrësh ato për bazë, për të ushtruar një reprezalje më të turpshme në historinë e këtij vendi. Ndaj kërkoj largimin e menjëhershëm të ministrit të Brendshëm. Kërkoj të mbajmë një minutë heshtje për martirin e lirisë që ra për t’u bërë i pavdekshëm. Ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje!”, tha Berisha.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se është zbatuar urdhri i Prokurorisë së Posaçme, ndërsa akuzoi Berishën se po përdor politikisht ngjarjen.
“Përdorimi i këtyre ngjarjeve për qëllime politike, ky bën korbin e skifterin ndërkohë që ne duhet të vazhdojmë me çështje të rendit të ditës. Nuk mund të hedhim në votim diçka që nuk ekziston. Për të ndryshuar rendin e ditës ka një procedurë, model të caktuar nga rregullorja e Kuvendit”, tha Balla.
Policia e Shtetit ushtroi më 20 qershor kontrolle në ambientet në territorin e kampit MEK në Manzë të Durrësit, në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe parandalimit të sulmeve kibernetike.
Këto kontrolle u kundërshtuan nga banorët e Ashrafit të cilët u përshkallëzuan, duke sjellë përplasje fizike me efektivët e Policisë. Banorët e Ashrafit pretendojnë se policia është sjellë si diktatore në kontrollet e ushtruara brenda kampit, duke akuzuar efektivët për vdekjen e një prej banorëve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi kanë hedhur poshtë në mënyrë kategorike këto pretendime. Çuçi tha se në fakt kanë qenë anëtarët e MEK ata që kanë dhunuar efektivët, veprime që ai i cilësoi si të papranueshme.
Po ashtu edhe Rrumbullaku theksoi se efektivët janë treguar të vetëpërmbajtur dhe se ata kanë përdorur vetëm spraj, pa shkaktuar lëndime, për të neutralizuar anëtarët e MEK, të cilët po kundërshtonin operacionin e policisë. Rrumbullaku tha po ashtu se ata kanë tentuar edhe të asgjësojnë provat duke i djegur.
/rtsh.al/