Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar pas kontrollit të ushtruar nga Policia e Shtetit në kampin e MEK në Manzë të Durrësit, ku janë të strehuar anëtarë të opozitës iraniane.
Në një konferencë për shtyp sëbashku me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, Çuçi tha se ata kanë një marrëveshje me qeverinë shqiptare vetëm për strehim për qëllime humanitare dhe i ndalohen veprime politike, marrëveshje që, sipas Ministrit është thyer prej tyre.
Ministri shtoi se kontrollet e Policisë erdhën pas vendimit të Gjykatës, kërkuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), ndërsa bëri të qartë se askush në Shqipëri nuk mund të kundërshtojë një vendim gjykate.
Reagimin e banorëve të Ashrafit ndaj Policisë së Shtetit, Çuçi e konsideroi të papranueshme, ndërsa tha se atyre i janë siguruar të gjitha kushtet për të qenë të sigurt.
“Dua të them qe ndjehem i keqardhur dhe madje i indinjuar me reagimin e anëtarëve të organizatës MEK ndaj Policisë së Shtetit gjatë aksionit sot. Shqipëria u ka ofruar atyre gjithçka që lidhet me strehimin e tyre për qëllim humanitar në Shqipëri sipas marrëveshjes. U ka ofruar ndihmë, siguri e madje mbrojtje ndaj të gjitha kërcënimeve që vinin edhe nga shërbimet sekrete të regjimit të Iranit. Ata kanë jetuar në siguri të plotë. Është e paimagjinueshme dhuna dhe reagimi që ata kanë bërë sot ndaj Policisë së Shtetit. Është shkelje ligjore për këdo që jeton në Shqipëri, por edhe thyeje e kodit të mirëpritjes që i kemi ofruar. Organizata MEK ka një marrëveshje me qeverinë për t’u strehuar në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Në marrëveshje është shkruar edhe fakti që atyre u ndalohet të kryejnë çdolloj aktiviteti politik. Ne kemi pasur shqetësime për mosrespektim të marrëveshjes, kanë qenë madje publike aktivitet politike të tyre, por kohët e fundit aktiviteti i tyre politik ka tërhequr vëmendjen e Prokurorisë së Posaçme e cila ka filluar më shumë se një çështje penale për këtë. SPAK ka patur dyshime të arsyeshme dhe indicie të forta dhe i është drejtuar gjykatës për të bërë një kontroll brenda kampit dhe për të bërë sekuestrime të pajisjeve. Policia ka kryer zbatimin e vendimit të Gjykatës. Reagimi i tyre ndaj Policisë është i papranueshëm, ata janë këtu vetëm për qëllime humanitare. Është thyerje e drejtpërdrejtë e marrëveshjes që ne kemi bërë me ta”, tha Çuçi.
I pyetur nëse do të ketë një prishje të marrëveshjes me anëtarët e MEK, Çuçi tha se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, por theksoi se duhet të ketë një reflektim nga ana e tyre në lidhje me sjelljen ndaj institucioneve shqiptare.
“Nuk do e prishim marrëveshjen, ata janë strehuar për qëllime humanitare dhe kështu do vazhdojë, por duhet të jetë një reflektim nga ata në lidhje me sjelljen ndaj institucioneve shqiptare dhe zbatimin e ligjit në Shqipëri. Nuk ka patur dhunë në asnjë moment”, u shpreh Ministri.
Policia e Shtetit ushtroi kontrolle në ambientet në territorin e kampit MEK në Manzë të Durrësit, në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe parandalimit të sulmeve kibernetike.
Këto kontrolle u kundërshtuan nga banorët e Ashrafit të cilët u përshkallëzuan, duke sjellë përplasje fizike me efektivët e Policisë. Banorët e Ashrafit pretendojnë se policia është sjellë si diktatore në kontrollet e ushtruara brenda kampit, duke akuzuar efektivët për vdekjen e një prej banorëve.
/rtsh.al/