Policia e Shtetit po ekzekuton këtë të martë (20 qershor) një urdhër kontrolli të lëshuar nga GJKKO në ambientet në territorin e kampit MEK në Manzë të Durrësit, në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe parandalimit të sulmeve kibernetike.
Në zbatim të këtij urdhër kontrolli të lëshuar nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin dhe në këto momente ndodhet brenda kampit. Por teksa forcat blu vijojnë kontrollet e ambienteve, banorët e Ashrafit janë ngritur në protestë.
Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim mbi kontrollet në ambientet dhe zyrat në kampin MEK. Sikurse thuhet në njoftim, “Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku banojnë për qëllime humanitare, Policia e Shtetit, në kuadër të një plani operacional, ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin MEK, në Manëz, Durrës".
Gazetari Aleks Kalemasi në një lidhje telefonike për RTSH 24 ka bërë me dije se policia është ende duke vijuar aksionin, ndërsa theksoi se disa persona janë marrë në pyetje dhe më pas janë rikthyer sërish në kamp.
“Deri tani s’ka njoftim nga policia. Ka vetëm automjetet të policisë së shtetit që hyjnë e dalin. Janë marrë disa persona janë pyetur e më pas janë kthyer në kamp.
Policia ka kërkuar respektimin e lirive dhe të drejtave themelorë të njeriut. Aksioni është në proces”, tha Kalemasi.
/rtsh.al/