RTSH 24 Live

Aktualitet

Kontrollet në kampin e MEK, Rrumbullaku: Tentuan të digjnin kompjuterët! Të dëmtuar 15 efektivë

20/06/2023

Kontrollet në kampin e MEK, Rrumbullaku: Tentuan të digjnin kompjuterët! Të dëmtuar 15 efektivë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka dhënë sqarime në lidhje me operacionin e zhvilluar këtë të martë (20 qershor) në kampin e MEK në Manzë të Durrësit.

Në një konferencë për shtyp sëbashku me Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, Rrumbullaku u shpreh se kundërshtimi i banorëve të kampit filloi pasi u evidentuan parregullsi. Ai shtoi se janë sekuestruar 96 njësi kompjuterike, 46 laptopë dhe karta memorie të cilat, sipas Rrumbullakut anëtarët e MEK tentuan t’i asgjësonin me djegie.

Rrumbullaku theksoi se nuk është ushtruar dhunë nga efektivët, teksa shtoi se prej tyre është përdorur vetëm spraji që nuk ka sjellë asnjë pasojë te rezidentët. Sipas Rrumbullakut, për shkak të dhunës së ushtruar nga anëtarët e MEK, janë 15 efektivë që kanë marrë lëndime.

Bashkë me drejtuesit jemi futur në ambientet e të gjithë territorit. Pas këtij momenti ka nis kontrolli në ambiente, ku për rreth 2 orë të kontrollit, pasi nga ana jonë u konstatua paligjshmëri në raport me kërkesat e vendimit të gjykatës sa i takon evidentimit të sallave të serverëve dhe pajisjeve kompjuterike, nisi rezistenca e organizuar e kampit MEK.

Nga ana jonë është përdorur vetëm spraji që nuk ka sjellë asnjë pasojë te rezidentët. Kemi të dëmtuar 15 punonjës policie. Janë dëmtuar 21 shtetas, ku 15 prej tyre kanë lënë qendrat spitalore dhe janë rikthyer në vendbanimin e tyre. Janë sekuestruar 96 njësi kompjuterike, 46 laptopë, karta memorie që tentuan të asgjësoheshin me djegie nga anëtarët e MEK. Gjatë kohës që kryenim veprimet, drejtues të MEK më kanë bërë me dije se në qendrën e tyre të emergjencës ndodhej një banor që kishte ndërruar jetë. Ju sigurojmë që pas daljes së ekspertizës mjekoligjore do të nxirrni konkluzionin tuaj. Vendimi i GJKKO vjen si pasojë e veprimeve që bien ndesh me marrëveshjen e firmosur nga MEK me qeverinë shqiptare”, u shpreh Rrumbullaku.

Lidhur me pretendimet e anëtarëve të MEK se 1 person ka humbur jetën, Rrumbullaku tha se është ngritur një grup i posaçëm hetimor.

Policia e Shtetit ushtroi kontrolle në ambientet në territorin e kampit MEK në Manzë të Durrësit, në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe parandalimit të sulmeve kibernetike.

Këto kontrolle u kundërshtuan nga banorët e Ashrafit të cilët u përshkallëzuan, duke sjellë përplasje fizike me efektivët e Policisë. Banorët e Ashrafit pretendojnë se policia është sjellë si diktatore në kontrollet e ushtruara brenda kampit, duke akuzuar efektivët për vdekjen e një prej banorëve.

/rtsh.al/