RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti: Pres nga ndërkombëtarët të dënojnë Serbinë për mosnënshkrimin e marrëveshjes

21/03/2023

Kurti: Pres nga ndërkombëtarët të dënojnë Serbinë për mosnënshkrimin e marrëveshjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar sot se përgjegjësia tani është në anën e Serbisë se pse nuk po e nënshkruan marrëveshjen e dakorduar në Ohër, më 18 mars 2023.

Për këtë, ai ka potencuar se pret nga faktori ndërkombëtar që të gjykojnë dhe dënojnë sjelljen e Serbisë edhe për moszbatim të aneksit të marrëveshjes. Në një prononcim para gazetarëve, Kurti ka thënë se zbatimi i marrëveshjes do të duhej të fillonte që dje, pasi siç ka thënë, nuk ka një afat se kur duhet të fillojë zbatimi.

“Edhe Marrëveshjen Bazë dhe planin e zbatimit tashmë i kemi të dakorduara. Për ne kjo është marrëveshje, por unë pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë, ta dënojnë sjelljen e Serbisë e cila kur zhvillohen takime thotë 'nuk nënshkruaj', e ndërmjet takimeve thotë 'nuk zbatoj gjë'”, tha Kurti.

Ndërsa ka folur për mundësitë që marrëveshjen pa nënshkrim me Serbinë të dërgon në Kuvend për ratifikim, Kurti është shprehur se kjo do të diskutohet edhe me deputetët të enjten, por ka shtuar se tani e gjithë përgjegjësia për mosnënshkrim të ujdisë duhet të jetë te Serbia.

"Ne mund të bëmë edhe ratifikim në Kuvendin e Republikës, por unë besoj se tani topi nuk duhet të jetë te Kosova, kërkojë kontributin e të gjithë, pasi topi është në anën e Serbisë pse nuk po nënshkruan ajo. Pra në vend që të diskutojmë pse s’po nënshkruan Serbia, kur do të themelosh Asociacionin. Është e rëndësishme ti qëndrojmë besnik interesave të Kosovës”

Sa i përket nenin shtatë të marrëveshjes bazë, ku flitet për vetë menaxhim të komunitetit serb në Kosovë, Kurti është shprehur se ai formulim i përket Konventës Kornizës për mbrojtjen e pakicave kombëtare të Këshillit të Evropës.

Më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, pas më shumë se 12 orë negociatash mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është arritur marrëveshje mbi Aneksin e implementimit të Planit evropian për dialogun, por pa nënshkrim të palëve. Megjithatë, shefi i diplomacisë së BE-së, Joseph Borrell, ka thënë se marrëveshja dhe aneksi për zbatimin e saj konsiderohen të aprovuara.

Gazetare: Teuta Shamku
/kosovapress/rtsh.al/