RTSH 24 Live

Rajon

Kurti: Pajtimi publik është arritur, por Serbia po i ik nënshkrimit

18/03/2023

Kurti: Pajtimi publik është arritur, por Serbia po i ik nënshkrimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në Ohër, delegacioni i Kosovës shkoi për të nënshkruar marrëveshjen bazë, por sipas tij, Serbia po i shmanget nënshkrimit, shkruan Radio Europa e Lirë.

Pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kurti tha se pajtimi publik është arritur për aneksin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne erdhëm në Ohër për të nënshkruan marrëveshjen bazë, me një aneks. Pala tjetër, njëjtë si në takimin e kaluar [takimi në Bruksel më 27 shkurt] po i ik nënshkrimit të marrëveshjes”, tha Kurti.

Kryeministri kosovar tha se i takon BE-së, si ndërmjetësuese e procesit të dialogut, “që të gjejë mekanizmin që ta bëjë aneksin e kësaj marrëveshjeje ligjërisht të zbatueshëm”.

“Ajo çfarë ka ndodhur është njohja de facto më 27 shkurt dhe tash me aneksin e zbatimit”, tha Kurti.

Ai tha se aneksi, për të cilin Kosova dhe Serbia u pajtuan në takimin e Ohrit, do të publikohet nga Bashkimi Evropian.

 

( Sipas Radios Europa e Lirë )