RTSH 24 Live

Sociale

Shtatori nis me një ligj më të ashpër për duhanin, ja masat që duhet të respektohen nga tregtarët

27/07/2024

Shtatori nis me një ligj më të ashpër për duhanin, ja masat që duhet të respektohen nga tregtarët

Duke nisur nga muaji Shtator të gjitha pikat e shitjes janë të detyruara të vendosin në një vend të dukshëm tabelën ku të shkruhet: “Ndalohet shitja e produkteve te duhanit, cigareve elektronike, shishave/nargjileve personave nën 18 vjeç”

Tabela e re informuese është pjesë e disa ndryshimeve të reja që pësoi ligji antiduhan , të cilat u miratuan me shumicë të thjeshtë në seancën e fundit plenare te sesionit parlamentar, e që  pas dekretimit nga presidenti dhe botimit në fletoren zyrtare do të duhen të detyrueshme nga të gjithë.

Ligji antiduhan është bërë më I ashpër për shkelësit të cilët u shesin ose ofrojnë falas duhan të rinjve nën 18-vjeç. Këto masat përcaktojnë  gjoba deri në 500 mijë lekë për shkelësit e përsëritur.

Ndryshimet prekin edhe vend shitjet . Nuk do të lejohet më shitja e cigareve elektronike në të gjitha vendet publike, arsimore, shëndetësore, sportive, automate, të cilat janë vende që frekuentohen nga fëmijë nën moshën 18 vjeç. Po ashtu, propozohet të ndalohet ofrimi falas apo shitja me ofertë e këtyre produkteve

Po kështu edhe reklamimi në median e shkruar dhe atë televizive jo vetëm i duhanit por edhe i të gjitha produkteve të tjera është I ndaluar qoftë edhe në mënyrë të tërthortë që do të thotë jo më  konsum të produkteve të duhanit apo cigareve elektronike gjatë një programi televiziv .

Të gjitha studimet që janë kryer, është vënë re se të gjitha cigaret elektronike, si me nikotinë apo pa nikotinë, me fruta apo me djegie, krijojnë shqetësime serioze në shëndetin e fëmijëve nën moshën 18 vjeç.

Duhanirja mbetet një nga veset më të dashura të shqiptarëve pavarësisht dëmeve shumë të larta shëndetësore që po regjistrohen për shkak të këtij produkti. Sipas të dhënave shëndetit publik 39% e shqiptarëve konsumojnë duhan dhe 4.500–5.000 veta po humbasin jetën çdo vit si pasojë e ndikimeve në shëndet të tij.

/RTSH/