RTSH 24 Live

Aktualitet

Kukës, vetëdorëzohen në polici 3 shtetas të shpallur në kërkim pas konfliktit në rrugë

24/04/2024

Kukës, vetëdorëzohen në polici 3 shtetas të shpallur në kërkim pas konfliktit në rrugë

Policia e Kukësit bëri të ditur se ka vijuar veprimet procedurale dhe kontrollet për dokumentimin e rrethanave të një konflikti në rrugë, më datë 22.04.2024, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim për këtë konflikt.

Si rezultat i kontrolleve të Policisë janë vetëdorëzuar tre shtetas të shpallur në kërkim për këtë rast.

“Pas konsultimit me prokurorin, shtetasit e vetë-dorëzuar A. E., 48 vjeç, U. E., 46 vjeç dhe I. M., 30 vjeç u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”. Pas konfliktit nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. E., 40 vjeç, gjithashtu të përfshirë në këtë rast. Ndërkaq, Policia po punon për kapjen e shtetasit të fundit të kërkuar për këtë rast, Q. M., 29 vjeç.”, thuhet në njoftim.

Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Kukës.

Ngjarja

Disa ditë më parë në qytetin e Kukësit një grup të rinjsh u konfliktuan fizikisht me njëri-tjetrin.

Policia e Kukësit identifikoi 5 personat që u përfshinë në këtë sherr masiv në rrugë. Ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti për motive të dobëta.

Katër prej personave të përfshirë në konflikt janë shpallur në kërkim ndërsa vetëm për njërin prej tyre ka nisur procedimi në gjendje të lirë.

“Komisariati i Policisë Kukës identifikoi dhe shpalli në kërkim, për veprën penale 'Dëmtime të tjera me dashje', shtetasit Q. M., 29 vjeç, I. M., 30 vjeç, U. E., 46 vjeç dhe A. E., 48 vjeç. Gjithashtu, për të njëjtën vepër penale u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. E., 40 vjeç, të gjithë banues në qarkun Kukës”, njoftuan uniformat blu.

Në lidhje me këtë ngjarje ka pasur hetim edhe disa efektivë policie. Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar ecurinë disiplinore për një nënkomisar dhe dy inspektorë.

“Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka filluar ecurinë disiplinore për specialistin e Seksionit të Rendit Publik të Komisariatit të Policisë Kukës Nën-komisar A. E. dhe për oficerët e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Kukës Inspektor G. T.  dhe Inspektor G. M., për shkelje të pikës 1 të nenit 209 të rregullores së Policisë së Shtetit, konkretisht: 'Punonjësi është përgjegjës për shkelje të rëndë të atributeve/ kompetencave të Policisë, nëse pa ndonjë arsye bindëse, nuk i përmbush apo dështon në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara, të cilat kanë shkaktuar pasoja te rënda në kryerjen e detyrave',” njoftoi policia.

/rtsh.al/