Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se zgjedhjet në komunat veriore mund të mbahen, pasi të vendoset rendi dhe ligji. Në një intervistë për “France 24”, kreu i qeverisë së Kosovës, u shpreh se pa ligj nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike. Teksa e konsideron zgjedhjen e kryetarëve të komunave në veri si legjitim, Kurti thekson se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri Kurti ka kritikuar ndërhyrjen e Beogradit në veri, ndërsa mirëpriti zgjedhjet pasi “milicia fashiste të vihet para drejtësisë”.
“Ne kemi nevojë të vendosim rend dhe ligj, ky është insistimi im. Nuk dua dështim pas dështimi”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti u takua më 5 qershor me dy emisarët e BE-së dhe SHBA-së, ku përsëriti gatishmërinë për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në veri, por pas sundimit të ligjit.
”Vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore. Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”, thuhej në njoftimin e zyrës së Kryeministrit Kurti.
/rtsh.al/