RTSH 24 Live

Serbi

Kryeministri hungarez, Orban: Serbinë do ta humbasim po s'e futëm shpejt në BE

11/02/2024

Kryeministri hungarez, Orban: Serbinë do ta humbasim po s'e futëm shpejt në BE

Serbia duhet të bëhet sa më shpejt pjesë e Bashkimit Europian, përndryshe Beogradi mund të zgjedhë partnerë të tjerë, ka thënë kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Në një intervistë për austriaken "Die Presse", z. Orban u shpreh se Serbia nuk ka aleate historike veç Rusinë, por tanimë edhe shtetin tjetër mik në Azi, Kinën.

"Duhet të përfundojmë detyrën e vjetër të zgjerimit para se të nisim një zgjerim të ri me Ukrainën. Nëse nuk e integrojmë Serbinë sa më shpejt, kemi për ta humbur. Serbia ka opsione të tjera. Ajo sapo ka mbyllur një marrëveshje me Kinën," tha kryeministri Orban. Ai iu referua marrëveshjes për tregti të lidhur në Pekin në tetor 2023, që presidenti Aleksandar Vuçiq ka thënë se do të hyjë në fuqi në maj–qershor 2024.

Sipas tij, përparësi për Budapestin do të ketë zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor kur Hungaria të marrë presidencën e Këshillit të BE-së më 1 korrik 2024.

/rtsh.al/