RTSH 24 Live

Aktualitet

Krijonin të dhëna të rreme për të denigruar titullarët, arrestohet gazetari dhe punonjësja e AMP-së

30/05/2024

Krijonin të dhëna të rreme për të denigruar titullarët, arrestohet gazetari dhe punonjësja e AMP-së

Një gazetar dhe një punonjëse e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës janë arrestuar pasi akuzohet se krijonin të dhëna të rreme për të denigruar titullarët.

Në pranga kanë rënë punonjësja në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës Regina Omeri dhe gazetari Ervis Hasanaga në kuadër të operacionit të koduar "Antonimet".  Gjithashtu u shpall në kërkim 39-vjeçari Kushtrim Selimi, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Nga hetimet ka rezultuar se të tre personat në bashkëpunim me njëri-tjetrin “ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti”. 

Në dëshmitë para hetuesve, gazetari Ervis Hasanaga ka deklaruar se detyra e tij ka qenë thjeshtë të publikonte lajmet që merrte nga punonjësja në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës Regina Omeri.

Ndërsa vetë Regina Omeri thotë se nuk ka marrë përfitime pasi lajmet silleshin nga Kushtrim Selimi, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i cili është ende në kërkim.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 celularë, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.  

/rtsh.al/