Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli, gjatë një interviste në RTSH-24, me gazetaren Xhilda Kondi, ka vlerësuar bashkëpunimin midis KOKSH dhe RTSH-së, të cilin e ka përkufizuar se ka qenë një bashkëpunim model dhe shumë i suksesshëm.
“Nuk ka si të mos jetë i mirë kur bëhet fjalë për një bashkëpunim mes Komitetit Olimpik dhe RTSH-së. Ky madje është një ogur i mirë edhe për të ardhmen se RTSH tani është televizioni më i madh në vend, që hyn në çdo familje shqiptare, si dhe gjigandi mediatik shqiptar.”, u shpreh Ylli.
Sipas tij, falë edhe RTSH-së, të gjithë shqiptarët kanë uruar mundësit fitues për performancën e tyre në Olimpiadë.
“Mund të kishim marrë medaljen e artë, por u bë një gabim i tmerrshëm nga gjyqtaria, për të cilën na është kërkuar ndjesë, por nuk ka kthim pas. Jemi krenar që flamuri Shqipërisë u valvit krahas flamujve të tjerë në Kullën Eiffel.”, tha kreu i KOKSH.
Rezultati jo rastësi
Kreu i KOKSH, gjatë intervistës në RTSH 24, nënvizoi se rezultati i arritur nga mundësit shqiptar në Olimpiadë, nuk është një rastësi.
“Kur bashkohen faktorë dhe aktorë, si Komiteti Olimpik, federatat, qeveria, bashkitë, media, gazetarët, pra të gjithë bashkë, mund ti bëjmë gjërat shumë mirë. Është një ogur i mirë për të gjithë sportin këto rezultate, pasi rezultatet nuk janë rastësi, por fryt i një pune të palodhur të trajnerëve, sportistëve, Komitetit Olimpik, qeverisë, Bashkisë Tiranë, sepse janë bërë edhe ligje mjaft të mira për sportin. Tani jo vetëm sportistë nga lindja, por edhe nga perëndimi, po kërkojnë të vijnë në Shqipëri. Janë bërë ligje të mira dhe ato po japin rezultate.”, theksoi Ylli.
Bashkëpunimi me Kosovën e vendet e Ballkanit
Sipas tij, rezultatet nuk vijnë thjeshtë nga çasti, por janë edhe brenda logjikës së kuadrit shumë të mirë ligjor.
“Ligji jonë për sportin është nga më të mirët në botë. Këmbëngulja dhe stërvitja, si dhe trajtimi i tyre financiar, do të krijojnë mundësi të mëdha për sportistët. Marrja e dy medaljeve të para në Olimpiadë do të jetë një ngjarje që do të mbetet gjatë në historinë e Shqipërisë. Angazhimi i të gjithë aktorëve dhe përkushtimi sjell rezultate. Sporti nuk është vetëm medalje, por edhe cilësi për jetën. E shohim dhe si urë mes vendeve të Ballkanit: Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjes, Malit të Zi. Sporti dhe sportistët janë ambasadorët më të mirë për Shqipërinë. Po të bëhemi bashkë me Kosovën do të kemi edhe më shumë medalje.”, tha kreu i KOKSH.
/rtsh.al/