RTSH 24 Live

Europë

Kremlini: Rusia do t’i përgjigjet vendimit të BE-së për të transferuar të ardhurat nga asetet e ngrira ruse në Ukrainë

26/07/2024

Kremlini: Rusia do t’i përgjigjet vendimit të BE-së për të transferuar të ardhurat nga asetet e ngrira ruse në Ukrainë

Zëdhënës i lartë i Kremlinit, Dmitry Peskov paralajmëroi të premten se Rusia do t’i përgjigjet vendimit të Bashkimit Evropian për të transferuar të ardhurat nga asetet e ngrira ruse në Ukrainë.

“Nuk do të ketë përgjigje të menjëhershme, por Rusia do të shqyrtojë hapat e saj të ardhshëm si përgjigje”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Peskov.

“Por, sigurisht që hapa të tillë nga Komisioni Evropian nuk do të mbeten pa përgjigje”, tha ai.

Komisioni Evropian ka zhbllokuar 1,5 miliardë euro (1,6 miliardë dollarë) të ardhura nga interesi nga asetet ruse të ngrira nga BE, hera e parë që blloku e bën këtë.

“Paratë do të përdoren për mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit të vazhdueshëm rus dhe rindërtimit të vendit”, shkroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Sipas komisionit, asetet me vlerë rreth 210 miliardë euro – që i përkasin bankës qendrore ruse – janë ngrirë në BE si përgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës.

Institucioni financiar me qendër në Bruksel, Euroclear, njoftoi kohët e fundit se kishte mbledhur rreth 4,4 miliarde euro interesa për këto asete në vitin 2023.

/ rtsh.al /