RTSH 24 Live

Kosovë

Krasniqi dhe Haradinaj: Votimi pro në Asamblenë e KiE-së hap kolosal në afirmimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës

16/04/2024

Krasniqi dhe Haradinaj: Votimi pro në Asamblenë e KiE-së hap kolosal në afirmimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë përshëndetur miratimin e raportit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nga Asambleja Parlamentare e KiE-së.

Nwpwrmjet një postimi në Facebook, Krasniqi vlerëson votimin dhe shprehu mirënjohje të gjithë ata që kanë punuar me vite të tëra për këtë sukses të rëndësishëm për vendin tonë, derisa falënderime pati edhe për të gjithë ata që me votën e tyre sot e shtynë përpara këtë proces për Kosovën.

“Veçanërisht, e falënderoj mikun tim, Iulian Bulai, deputetin rumun, i cili si Kryetar në APKE i grupit të ALDE-s, anëtare e së cilit është edhe PDK, bashkë me deputetët e grupit tonë, ka kontribuar në çdo hap të këtij procesi”, shkroi Krasniqi.

Tani, me optimizëm, angazhim dhe lobim, theksoi kreu i PDK-së, “presim votimin final të Komitetit të Ministrave të Jashtëm, që do të mbahet pas një muaji”.

Ndërsa Haradinaj, përkrahja në Asamblenë e KiE-së, “është një hap kolosal në afirmimin ndërkombëtar të pozicionit të Kosovës, si dhe një energji dhe momentum i ri për caqet e së ardhmes”.

“Shteti ynë i ri, qytetarët e Kosovës, kanë vendosur themelet e forta të demokracisë, të drejtave dhe lirive të njeriut. Ky përkushtim i rrënjosur në frymën e Kushtetutës e shpirtin e qytetarëve, u vlerësua nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës”, shkroi ndër të tjera Haradinaj në Facebook.