RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti bisedë tefelonike me kancelarin Scholz, i kërkon mbështetje për anëtarësim në KiE

29/04/2024

 Kurti bisedë tefelonike me kancelarin Scholz, i kërkon mbështetje për anëtarësim në KiE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Zyra e Kryeministrit nëpërmjet një njoftimi për median ka deklaruar se kjo bisedë ka ardhur pas votimit të suksesshëm këtë muaj nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) e cila me 131 vota PRO kërkoi nga Komiteti i Ministrave që të pranojë Kosovën si anëtaren më të re të Këshillit të Evropës muajin e ardhshëm.

Në njoftim mësohet se, “Kryeministri Kurti e njoftoi kancelarin gjerman për progresin e arritur socio-ekonomik në këto tri vjet qeverisje në Kosovë: për zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin në indikatorët e demokracisë e të sundimit të ligjit”.

Nga ana e tij, Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, hapa konkret për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në njoftimin thuhet se, “Kancelari gjermane Scholz ka theksuar mbështetjen e Qeverisë Federale për integrimin evropian të Kosovës dhe rikujtoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

“Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës’, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/