RTSH 24 Live

Kosovë

Bislimi e cilëson të dështuar takimin në Bruksel, thotë se pala serbe shkoi me propozime të reja e jo me përgjigje

15/05/2024

Bislimi e cilëson të dështuar takimin në Bruksel, thotë se pala serbe shkoi me propozime të reja e jo me përgjigje

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e cilësoi si të dështuar takimin në Bruksel për dinarin, duke thënë se pala serbe erdhi me propozime të reja për çështjen, e jo me përgjigje.

Duke folur për gazetarët pas negociatave disaorëshe, Bislimi tha se nuk pret takime të tjera për këtë temë

Pas negociatave disa orësh mes Bislimit dhe kryenegociatorit serb, Petar Petkoviç, me ndërmjetësimin e të Dërguarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kryesuesi i delegacionit kosovar ka theksuar se pala serbe erdhi me propozime të reja për çështjen, “e jo me përgjigje”.

“Në komentet tona, ne kemi parë se në cilat pika mund të bëjmë kompromise për propozimin e Lajçakut. Te komentet e palës serbe kemi parë tendencë që në shumë pika të largohen nga ai. Kjo e dëshmon atë që e kemi thënë shumë herë më parë: për Serbinë kjo çështje nuk përbën kurrfarë urgjence, primare për të është të mos lejoj zgjidhje për këtë çështje”, tha Bislimi raporton “Radio Evropa e Lirë”.

Ndërmjetësi Lajçak, siç ka potencuar Bislimi, nuk do t’i ftojë më palët, pos nëse ato do të tregoheshin konstruktive.

Ndryshe, takimi i së mërkurës Bislimi-Petkoviç, me ndërmjetësimin e Lajçak-ut, ishte i shtati me radhë në mes tyre, në përpjekje e sipër për të gjetur një zgjidhje kompromisi për çështjen e dinarit.

Rezultati i të gjithë këtyre takimeve të shumta është i njëjtë: pa marrëveshje.

Dinari ishte bërë çështje e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë pas vendimit të BQK-së për ndalimin e kësaj valute për pagesa në territorin kosovar, duke e përcaktuar kështu euron si të vetmen valutë ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme në Kosovë.

 

/rtsh.al/