RTSH 24 Live

Kosovë

Arrestohet një serb në pikën kufitare, autoritetet: Dyshohet se ka kryer krime lufte në Kosovë

27/04/2024

Arrestohet një serb në pikën kufitare, autoritetet: Dyshohet se ka kryer krime lufte në Kosovë

Policia e Kosovës ka arrestuar në pikën kufitare në Bërnjak një serb me inicialet J.Š. i cili dyshohet se ka kryer krime lufte gjatë viteve 1998-1999 në rajonin e Gjakovës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, personi J.Š. ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

Prokuroria Speciale (PS), dhe Policia e Kosovës, njoftojnë opinionin publik se, sot, në pikën kufitare të Republikës së Kosovës me Serbinë, konkretisht në Bërnjak, është ndaluar një person me inicialet J.Š., i dyshuar se gjatë viteve 1998 – 1999, në Komunën e Gjakovës, ka kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’, thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se “me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i njëjti është ndaluar për 48 orë, dhe brenda afateve kohore ligjore ndaj të njëjtit kjo prokurori do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile”

/rtsh.al/