RTSH 24 Live

Kosovë

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Escobar: Kosova mund të mos i ketë votat për në KiE

08/05/2024

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Escobar: Kosova mund të mos i ketë votat për në KiE
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Escobar

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të mërkurën në një komunikim virtual me gazetarët nga Uashingtoni se Kosova dhe Serbia dështuan të përmbushin detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve e vitit të kaluar.

Ai paralajmëroi se kjo mund t’i kushtojë Kosovës me dështim në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

“E di që ka shqetësime mes vendeve anëtare se Asociacioni dhe disa çështje që kanë të bëjnë me pakicën serbe, nuk janë përmbushur. Kjo është ajo që po nxit shqetësimin se Kosova mund të mos i ketë votat për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, tha Escobar, duke theksuar se qëndrimi i Uashingtonit është se Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë për këtë.

“Sa i përket integrimit evropian, mendoj se është e rëndësishme për Kosovën që të dëgjojë partnerët e saj evropianë dhe të punojë me partnerët evropianë, teksa ne forcojmë kandidaturën e Kosovës për të gjitha strukturat euroatlantike”, theksoi Escobar gjatë këtij komunikimi me gazetarët, shkruan RTK.

Escobar tha se i vjen keq që gjatë mandatit të tij nuk është zbatuar marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Po të mërkurën, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se nuk do të pranojë kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit, duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ndodhë në Bruksel dhe jo në Strasbourg.

Por i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor ka një qasje tjetër lidhur me këtë çështje.

“Mendoj që janë shumë të lidhura. E para është se Këshilli i Evropës ka të bëjë me trajtimin e pakicave dhe Kosova ka bërë zotime të qarta për trajtimin e pakicave dhe kjo përfshinë edhe Asociacionin”, tha Escobar, duke nënvizuar se ky përkushtim është pjesë e planit të Martti Ahtisaarit dhe marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

“E kemi të vështirë të kuptojmë përse Kosova nuk përmbushë detyrimet e saj ligjore dhe nuk ka dhënë shenja që është e gatshme ta bëjë këtë”, tha ai.

Në përfundim të mandatit të tij, ai fajësoi Kosovën dhe Serbinë për mos përmbushjen e detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit e vitit të kaluar me të cilën palët u pajtuan për zbatimin e të gjitha elementeve të zbatueshme.

/rtsh.al/